2013-09-24 16:05:56

Arsyeja dhe besimi – shkenca dhe fantashkenca


Shkencëtari ateist italian Piergiorgio Odifreddi nuk e fsheh aspak çudinë dhe emocionin që i ka shkaktuar një letër e pazakontë që ka gjetur në kutinë postare të shtëpisë së vet. Dërguesi është Papa Benedikti XVI, dora vetë.
“Letërkëmbimi” zë fill me librin e shkencëtarit ateist, që mban titullin: “I dashur Papë, po të shkruaj”. Në atë libër Odifredi ka dashur të hedhë poshtë argumentimin historiko-teologjik, që Benedikti XVI ka paraqitur në librin “Hyrje në Krishtërim” dhe ka pohuar se vetëm matematika mund të quhet shkencë e pakundërshtueshme. Por Benedikti XVI, përherë i gatshëm për t’u përballur me temën e marrëdhënies së besimit me arsyen, nuk është bindur nga argumentimi i shkencëtarit piemontez. Për këtë, ka vendosur t’i përgjigjet në formë private, duke i dërguar një letër prej 11 faqesh, një pjesë prej së cilës është botuar sot në të përditshmen italiane “La Repubblica”.
“Më ka ardhur një zarf i vulosur, - thotë Odifreddi – me njëmbëdhjetë fletë brenda, që fillonin me një kërkesë faljeje për vonesën”.
Ish-profesori i Tubingenit, që udhëhoqi Kishën Katolike si pasardhës i Shën Pjetrit në vitet 2005-2013, nuk e pranon pohimin e matematikanit ateist që thotë se teologjia është fantashkencë, prandaj, duke pranuar se feja ka disa të meta të vetat, vë në dukje se edhe shkenca nuk është pa të meta, prandaj ka nevojë për teologji.
“Një funksion i rëndësishëm i teologjisë, - thotë Benedikti XVI – është ai i mbajtjes së lidhjes ndërmjet fesë dhe arsyes, arsyes dhe fesë. Të dyja këto funksione kanë një rëndësi thelbësore për njerëzimin. Në dialogun tim me Habermasin kam vënë në dukje se feja ka patologjitë e veta dhe arsyeja ka patologjitë e veta, që nuk janë më pak të rrezikshme.”
Cilat janë disa nga patologjitë e shkencës, sipas Benediktit XVI? Ja çfarë i shkruan ai profesorit:
“Ajo që Ju keni shpalosur mbi teoritë rreth fillimit e mbarimit të botës tek Heisenberg-u, Schrodinger-i etj., do ta quaja fantashkencë në kuptimin e mirë. Janë shestime dhe hamendësime për të mbërritur te një njohje e vërtetë, por janë veçse hamendje me të cilat orvatemi t’i afrohemi realitetit. Fantashkenca është e bollshme edhe mu në teorinë e evolucionit. Geni egoist i Richard Daëkins-it është një shembull klasik i fantashkencës. I madhi Jacques Monod ka shkruar disa fjali që ai vetë i ka futur në veprën e vet sigurisht vetëm si fantashkencë. Citoj: ‘Shfaqja e vertebralëve katërkëmbësh zë fill nga fakti se një peshk primitiv “zgjodhi” të dalë e të eksplorojë tokën, por që nuk ishte i zoti të zhvendosej mbi të përveçse duke kërcyer me zor, e kështu ka krijuar një ndryshim të sjelljes, shtypjen selektive, falë së cilës janë zhvilluar gjymtyrët e forta të katërkembëshve. Ndër pasardhësit e këtij eksploruesi të guximshëm, të këtij magelani të evolucionit, disa mund të vrapojnë me shpjetësi mbi 70 kilometra në orë’”.
Papa shpreh habinë e vet për mosdijen e shkencëtarit italian në lidhje me faktet e pakundërshtueshme historike rreth ekzistencës së Jezusit nga Nazareti dhe e fton të lexojë librat e Martin Hengel-it dhe të Maria Schwemer-it. Nuk ngurron as të jetë i rreptë me Odifreddin, kur i shkruan:
“Ajo që Ju thoni për Jezusin është e thënë me mendjelehtësi e nuk duhet ta përsërisni. Nëse e shtroni çështjen a thua se për Jezusin, tek e fundit, nuk dihet asgjë dhe se për të, si figurë historike, asgjë nuk është e vërtetueshme, atëherë më mbetet vetëm t’Ju ftoj me vendosmëri që të bëheni më kompetent nga pikëpamja historike.”
Benedikti XVI pranon me dhimbje kritikat e Odifreddi-t rreth të metave të Kishës, por shton se nuk është e lejueshme të heshtet rreth figurave dritëplota të krishtërimit, ndër të cilët rendit Shën Benediktin nga Norcia dhe Shën Skolastikën, Shën Françeskun e Assisi-t dhe Shën Kjarën, Shën Terezën e Avilës e Shën Gjonin e Kryqit, duke mbërritur deri tek Nënë Tereza e Kalkutës.
Nga njëra anë Papa Benedikti nuk ngurron të pranojë se letra e tij ka një ton të fortë, kur i shkruan Odifreddit: “Kritika ime për librin Tuaj është e ashpër”, por nga ana tjetër matematikani ateist nuk ngurron të shprehë emocionet që i ka shkaktuar kjo letër, kur shkruan: “Befasia dhe emocioni nuk shuhen dot nga fakti se jam mosbesimtar, sepse ateizmi ka ta bëjë me arsyen, ndërsa personaliteti dhe simbolet e pushtetit ndikojnë tek ndjenjat”







All the contents on this site are copyrighted ©.