2013-09-23 18:42:56

Egjipt: në Delga, pas sulmeve islamike, kremtohet meshë përsëri


Të krishterët koptë të provincës së Minjës “rimarrin” ndërtesat e kultit, pas një muaji sulmesh islamiste dhe detyrimit për të paguar taksën e të “pafeve”. Dje pasdite mijëra vetë kanë marrë pjesë në Meshën e parë të kremtuar në Kishën e Virgjërës Mari, tek rrënojat e manastirit të Anba Abraam-it në Delga (Minja, Egjipti i Epërm). Kremtimi i së dielës është i pari që prej 14 gushtit, dita e sulmit islamist kundër koptëve. Ndërtesa murgare zë fill në shekullin IV dhe është rrënuar nga Vëllazëria Myslimane. Shërbesën e kanë kryesuar Atë Abram Teneissa e Atë Silwanis Lutfi, dy priftërinj koptë ortodoksë, që më shumë se një herë u kanë bërë ballë ekstremistëve duke u lutur në anijatat e kishave të shkatërruara dhe duke ndihmuar familjet e dëbuara. Burimet vendore të mbledhura nga angjensia AsiaNews tregojnë se Mesha e djeshme ka bashkuar edhe qindra familje të arratisura nga Delga për shkak të përndjekjeve. Ato janë kthyer jo vetëm për t’u lutur në kishat e tyre, por edhe për të rindërtuar banesat e veta, duke sfiduar ndalim-qarkullimin ushtarak dhe kërcënimin e ekstremistëve. Fshati i Delgës, çerdhe e luftëtarëve islamistë, i rimarrë nga ushtria më 18 shtator, është bërë i famshëm në Egjipt prej përndjekjeve të dhunshme ndaj bashkësisë së krishterë të atyshme, që ka pësuar dhunime të njëpasnjëshme për javë të tëra. Janë shkatërruar 62 ndërtesa kulti e banimi, janë rrëmbyer njerëz, janë bërë vrasje në masë dhe është vënë jaza, taksa që të pafetë duhet t’i paguajnë bashkësisë myslimane për të shpëtuar jetën.








All the contents on this site are copyrighted ©.