2013-09-22 13:15:15

Atë Spadaro: më shumë se intervistë, biseda me Papën Françesku qe takim shpirtëror


Akoma vazhdon jehona e intervistës së Papës Françesku për revistën e jezuitëve “Qytetërimi Katolik”, në të cilën Ati i Shenjtë u përgjigjet pyetjeve të shumta të drejtorit, atë Antonio Spadaros. Intervista 30 faqëshe u botua njëkohësisht, edhe në 16 revista të tjera të Shoqërisë së Jezusit, kudo në botë. Por të dëgjojmë vetë atë Antonio Spadaron, për të cilin takimi me Papën qe një përvojë e vërtetë shpirtërore:
Mund të them se për mua qe një përvojë e vërtetë shpirtërore. Të flasësh me Papën Françesku do të thotë të rrish pranë një vullkani, vullkan idesh, botëkuptimesh. Nuk qe intervistë tradicionale pyetje-përgjigje. Qe bisedë e vërtetë, 360 gradëshe, që unë e tregoj – natyrisht, Papa e lexoi para se të publikohej – e ku duket një figurë që, si të thuash, zhduk stereotipet, figurë e aftë të japë sidomos një model Kishe. Për shembull, për mua, imazhi i Kishës që dha Ati i Shenjtë, si spital fushor, gjithnjë e çekuilibruar nga ana e situatave të emergjencës është i jashtëzakonshëm; Kishë pranë njeriut, që ecën përkrah tij dhe e ndihmon të shërojë plagët… Ja pra, një imazh i Kishës, një këndvështrim mbi realitetin, një mënyrë për kumtimin e Ungjillit.
Duke u përgjigjur për reformat brenda Kishës, Papa Bergolio nënvizon rëndësinë e shoshitjes së punëve, para se të bëhen ato…
Po. Shoshitja e karakterizon përshpirtërinë injaciane. Kështu kuptohet edhe stili i këtij Pape në qeverisjen e Kishës. Ati i Shenjtë nuk dëshiron të vendosë vetë pa pyetur kënd; ai ndjek Zotin, duke e parë në çdo gjë që ndodh e në lutje. Shoshitje do të thotë ta kërkosh e ta gjesh Zotin në çdo gjë, në çdo ngjarje. Pata përshtypjen e qartë se Papa nuk jeton në kullën e flidishtë, por është mëse i vetëdijshëm për jetën rreth tij e në botë.
Përsa u përket çështjeve më të ndërlikuara si të divorcuarit e rimartuar, homoseksualët, gratë që abortojnë, Papa Françesku nënvizon rëndësinë e shoqërimit të tyre me mëshirë e dashuri…
Po, Papën e tërheq misteri i njeriut dhe mënyra me të cilën Zoti i flet secilit, duke u nisur nga jeta tij, ashtu siç është e jo si duhet të jetë. Përmasa e mëshirës është mëse e qartë edhe në moton e tij ipeshkvnore. Askush nuk përjashtohet nga Hiri Hyjnor. Askush nuk largohet, pavarësisht se ndihet larg, sepse Zoti e kërkon shumë më parë se ta kërkojmë ne. Hyjin e takojmë në udhë.







All the contents on this site are copyrighted ©.