2013-09-20 13:35:16

Kisha t’u mjekojë plagët besimtarëve e t’u ngrohë zemrën: kështu Papa në revistën “Qytetërimi Katolik”


“Nganjëherë, Kisha mbyllet në gjëra të vogla, në rregulla të ngushta. Ndërsa, është kumti i parë, më i rëndësishmi: ‘Jezu Krishti të ka shpëtuar!”. Këtë u duhet thënë besimtarëve, sipas Papës Françesku, i cili i ka dhënë një intervistë të gjatë revistës së jezuitëve “Qytetërimi Katolik”, publikuar dje edhe në 16 revista të tjera të Shoqërisë së Jezusit në të gjithë botën. Në bisedën gjashtë orëshe, ndarë në tre takime e në 30 faqe, drejtori i revistës, atë Antonio Spadaro, i bën pyetje mbi vetveten, mbi jezuitët, mbi rolin e Kishës në botën e sotme e mbi përparësitë e baritorisë së saj.
Lajmi, që ka bërë tashmë një xhiro rreth botës, përmbante mbrëmë shumë fjalë mbi të divorcuarit e rimartuar e mbi gratë, që abortojnë, për të cilët Papa ripohoi ç’thotë Kisha prej kohësh: mund të kthehen në udhën e Zotit, nëse pendohen sinqerisht e i rrëfejnë mëkatet e tyre para Hyjit të Gjithpushtetshëm, gjithnjë i gatshëm t’u japë mundësi të tjera bijve të vet, nëse ndryshojnë udhë për mirë. Gjithsesi, janë vetëm dy aspekte të mendimit të Atit të Shenjtë, të cilin sot, po përpiqemi ta propozojmë shkurtimisht, por duke përfshirë në këtë përmbledhje, idetë kryesore të intervistës.
Papa Françesku e fillon duke e quajtur veten “mëkatar”, njeri, drejt të cilit Zoti e ka drejtuar gishtin e vet, e ka zgjedhur, pa pasur ai vetë asnjë meritë. Pavarësisht se jam i padisiplinuar, nënvizon, ajo që më pëlqeu ndër jezuitët është pikërisht disiplina, mënyra si e ndajnë kohën, ndërsa nga Shën Injaci i Lojolës, themeluesi i urdhërit, Ati i Shenjtë zgjedh cilësinë e “shoshitjes”, aftësinë për t’u zgjeruar në horizonte gjithnjë të reja, edhe kur hapësira e veprimit është tepër e ngushtë. Shoqëria e Jezusit, pohon Papa, është në vetvete, e decentralizuar, pasi qendra e saj është jo vetveteja, por Jezusi e Kisha, dy shtylla themelore për të jetuar në “periferi”.
Në një intervistë të veçantë edhe nga pikpamja e formës, atë Spadaro tregon për përgjigjet e Papës, duke e cituar herë pas here e duke përshkruar atmosferën, ndjenjat, vështrimet e tri takimeve me të, më 19, 23 e 29 gusht. Kisha, sipas Horhe Mario Bergolios, duhet të dijë t’i mjekojë plagët e t’u ngrohë zemrat besimtarëve, duhet t’u qëndrojë pranë. “Unë – thotë Papa – e shoh Kishën si spital fushor, pas betejës. Është e kotë t’i kërkosh një të plagosuri nëse e ka yndyrën dhe sheqerin e lartë në gjak! Duhen mjekuar plagët! Pastaj, mund të flasim për të tjerat”. “Ministrat e Kishës – vazhdon më pas – duhet të jenë së pari ministra të mëshirshëm. …Reformat organizative e strukturore janë dytësore, vijnë më vonë, pasi reforma e parë duhet të jetë ajo e sjelljes, e qëndrimit”. Për Papën Françesku, shërbëtor i vërtetë i Ungjillit është ai, që ka aftësinë “t’u ngrohë zemrat njerëzve, të ecë nëpër natë bashkë me ta, të dijë të dialogojë e të hyjë në natën e tyre, në errësirën e tyre, pa e humbur udhën. Populli i Zotit do barinj e jo funksionarë, apo klerikë shtetërorë”.
Ati i Shenjtë ndalet në baritorinë e misionit e shpjegon se puna e misionarit nuk duhet të fiksohet në transmetimin e thjeshtë të një sasie doktrinash, për t’u imponuar me forcë. Kumtimi i Ungjillit të Krishtit duhet t’ua ndezë njerëzve zemrën, prandaj duhet të përqëndrohet në thelbësoren, duke gjetur një ekuilibër të ri, përndryshe edhe mësimi moral i Kishës rrezikon të bjerë në vesh të shurdhër, ta humbë erën e mirë të Ungjillit. Është propozimi i thjeshtë i Ungjillit ai, që sjell më vonë ndryshimin e moralit e të sjelljeve.
Në intervistë, Papa Françesku përshkon historinë e tij si jezuit, duke u ndalur edhe në disa çaste të vështira: “mënyra ime autoritare dhe e shpejtë për të marrë vendime – pohon – më ka shkaktuar probleme serioze e jam akuzuar si ultrakonservator”. Por Ati i Shenjtë ka mësuar nga përvoja, e ka kuptuar rëndësinë e “konsultimit” me të tjerët. “Koncistoret, Sinodet – thotë në intervistë – janë vende të rëndësishme për ta bërë këtë konsultim të vërtetë e aktiv, por duhet të kenë një formë më pak të ngurtë. …Dua – vazhdon Papa – konsultime të vërteta, jo formale”. Kjo, thekson Papa Bergolio, është kohë për shoshitje, e cila shpesh më ka nxitur ta bëj më parë atë, që kam menduar fillimisht ta bëj më vonë.
Imazhi i Kishës, që Papa përshkruan në intervistë, është ai i Koncilit II të Vatikanit, shprehur në Kushtetutën “Lumen Gentium”, ai i “popullit të shenjtë, besnik ndaj Zotit”. Kisha, që nuk dëshiron të grumbullojë rreth vetes vetëm një grup njerëzish të zgjedhur, nënvizon Ati i Shenjtë, por të jetë Nënë e Bareshë, duhet të zhytet në këtë popull, të jetë ai. E kur kujton sjelljet negative të meshtarëve e të murgeshave, gjëja e parë, që i vjen ndërmend është: “ja ky, që ka mbetur pa martuar, ja kjo, lënesha”. “Nuk janë – thekson Papa Françesku – as nënë e as babë. Nuk janë të aftë të dhurojnë jetën”.
Pyetjet e drejtorit të revistës “Qytetërimi Katolik” (Civiltà Cattolica), që u paraqitën nga të gjitha mediat, arrijnë pastaj në çështjet e ndërlikuara të të divorcuarve të rimartuar, të homoseksualëve e të grave, që abortojnë. “Duhet të kemi gjithnjë parasysh njeriun – thotë Papa. Këtu hyjmë në misterin e njeriut. Zoti i shoqëron njerëzit në jetë e ne e kemi për detyrë t’i shoqërojmë, duke u nisur nga kushtet e tyre të jetesës. Duhet ecur me ta, me mëshirë e dashuri”.
Nuk harron Papa edhe temën e gruas në Kishë. Sfida, sipas Atit të Shenjtë, është të reflektohet mbi rolin e veçantë të gruas edhe aty ku ushtrohet autoritet, në fusha të ndryshme të veprimtarisë së Kishës. Në fund, intervista mbërrin në një aspekt, që Papa Françesku e ka shumë për zemër e që mund të përmblidhet në frazën: “Zotin e takojmë në udhë”. “Zoti – thotë Papa – është gjithnjë suprizë, prandaj nuk e dimë kurrë kur e si e gjejmë, nuk je ti që vendos për kohën e për vendin e takimit me Të”. E nëse një i krishterë dëshiron ta ketë Zotin të qartë në mendje e të jetë i sigurtë për ekzistencën e Tij, nuk gjen asgjë, pasi feja kthehet në ideologji, si shumë të tjera. “Kam një siguri dogmatike – thekson Ati i Shenjtë – Zoti është në jetën e secilit… Edhe nëse jeta e njeriut i ngjan një terreni plot gjemba e barëra të këqia, ka gjithmonë një hapësirë, ku fara e mirë mund të mbijë e të rritet”. Prandaj, guxim! “Duhet të kemi besim tek Hyji” e mbyll intervistën Papa Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.