2013-09-20 14:47:39

Ati i Shenjtë në Shtëpinë e Shën Martës: ‘jo’ idhujtarisë së parasë, nuk mund të shkojmë në meshë e pastaj, të mos pyesim për kënd


Paraja e sëmur mendjen dhe fenë, duke na nxitur të marrim një udhë të gabuar. Kështu tha Papa Françesku, sot paradite, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Kur e kthen paranë në idhull, nënvizoi Papa, bëhesh maniak i përtacisë, i kotësisë dhe i mendjemadhësisë. “Nuk mund t’i shërbejmë edhe Zotit, edhe parasë” citoi Ati i Shenjtë Shën Palin Apostull, në liturgjinë e sotme. Ka diçka në dëshirën për para, që na largon nga Hyji. Edhe vetë Jezusi pohon se lakmia për para është nëna e të gjitha të këqiave e të largon edhe nga feja, pohoi Ati i Shenjtë:
“Paraja e sëmur mendimin, e sëmur fenë dhe e bën të ecë nëpër një udhë tjetër. Sa fjalë përtacie, sa diskutime të kota… Prej këndej lindin smira, grindjet, thashethemet, dyshimet e këqia, konfliktet e njerëzve me mendje të korruptuar, që s’pyesin për të vërtetën dhe e konsiderojnë fenë burim fitimi. ‘Jam katolik, shkoj në meshë, sepse kjo më jep një farë statusi. Shihem me sy të mirë… Por nën rrogoz, bëj ç’të dua, apo jo? Kam kultin e parasë!’ E këtu gjejmë një fjalë, që e shohim shpesh nëpër gazeta: ‘Njerëz me mendje të korruptuar’. Paraja të korrupton! Nuk ke rrugëdalje”.
Nëse zgjedh udhën e parasë, vazhdoi Papa Françesku, do të korruptohesh. Prandaj Jezusi thekson:
“’Nuk mund t’i shërbesh edhe Zotit, edhe parasë’. Nuk mundemi: o njëri, o tjetra! E ky nuk është komunizëm! Ky është Ungjill i pastër! Këto janë fjalët e Jezusit! Paraja të sjell një farë mirëqënie, fillimisht. Shumë mirë… Pastaj, e ndjen veten pak si të rëndësishëm e ja ku vjen mendjemadhësia. E lexuam edhe në psalm. Nuk të duhet gjë mendja e madhe, por ti ndjehesh njeri me rëndësi: e kjo është mendjemadhësia. E nga mendjemadhësia tek kryelartësia. Janë tri shkallë: pasuria, mendjemadhësia e kryelartësia”.
Askush s’mund të shëlbohet me para, theksoi me forcë Ati i Shenjtë. Është udha e Qoftëlargtit:
“’Por, o Atë, unë i lexoj dhjetë Urdhërimet e Tënzot e askund nuk flitet keq për paranë’. Kundër cilit prej Urdhërimeve mëkatojmë kur bëjmë diçka për para? Kundër të parit! Mëkati është idhujtaria! Sepse paraja kthehet në idhull e atij kulti i falesh… Etërit e parë të Kishës përdornin një fjalë të fuqishme. Thoshin: ‘Paraja është bajga e djallit’. E kështu është, sepse na bën idhujtarë e na sjell krenari të sëmurë e bëhemi maniakë të gjërave të kota, që na largojnë nga feja, na korruptojnë”.
Udha për t’i shërbyer Zotit, për të ndjekur Krishtin, iu kthye edhe një herë Papa Shën Palit Apostull, nuk është pushteti idhujtar, që mund të japë paraja, por përvuajtëria e, edhe durimi e butësia ndaj atyre, që bëjnë mëkatin e mendjemadhësisë e të kryelartësisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.