2013-09-18 17:11:29

Rasmussen-Rama: koha për të ecur drejt të ardhmes


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Andreas Fogh Rasmussen, theksoi të martën, 17 shtator, në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Bruksel, se "fakti, që ju keni zgjedhur të vini këtu, në fillim të mandatit tuaj, tregon përkushtimin tuaj personal ndaj Aleancës dhe ne jemi shumë mirënjohës për këtë.
Shqipëria jep një kontribut të çmuar për NATO-n, ju jepni një kontribut të çmuar për misionet tona në Afganistan dhe Kosovë. E, përmes bashkëpunimit tuaj me fqinjët ju jepni një kontribut të çmuar për sigurinë në mbarë rajonin".
"Kjo është një kohë shprese dhe mundësish për Ballkanin Perëndimor, një kohë për të parë drejt të ardhmes dhe jo drejt të kaluarës. Ne sapo kemi diskutuar për axhendën e ngjeshur të NATO-s për muajt që vijnë.
Ne jemi drejt përfundimit të misionit tonë luftarak në Afganistan në fund të vitit tjetër. Në të njëjtën kohë ne po përgatisim një mision të ri jo luftarak për të trajnuar, këshilluar, asistuar forcat afgane pas 2014, në mënyrë që të ruajmë arritjet për të cilat kemi luftuar aq shumë', tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Ne jemi gjithashtu duke intensifikuar trajnimin dhe ushtrimet. Ne kemi tanimë forcën më të aftë dhe të lidhur më mirë në historinë e NATO dhe do ta mbajmë atë të fortë për të vazhduar të sigurojmë që jemi të gatshëm për çdo sfidë për sa i përket sigurisë, u shpreh z. Rasmussen.
Sipas tij, "kjo është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur të gjithë vendet përballen me vendime të vështira ekonomike, prandaj ne na duhet të punojmë akoma dhe më shumë me njëri tjetrin për të ruajtur ato kapacitete që pjesa më e madhe ndër ne nuk mund t'i përballojnë të vetëm dhe për t'u dhënë qytetarëve tanë më të mirën e mundshme".
Duke iu drejtuar Kryeministrit Rama, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se "unë e di që mund të mbështetem tek ju për të gjitha këto përpjekje të rëndësishme dhe e mirëpres punën me ju".
Kryeministri Edi Rama, pasi falënderoi sekretarin Rasmussen për pritjen, theksoi se "Shqipëria do të vazhdojë të jetë një anëtare e kësaj organizate, e cila gjithmonë përmbush të gjitha detyrat e saj. Ne na është dashur një kohë e gjatë për t'u anëtarësuar dhe ne do të qëndrojmë duke përmbushur të gjitha detyrat dhe detyrimet tona".
"Ju duhet të jeni të sigurt që ne do të bëjmë më të mirën tonë që të jemi në lartësinë e reputacionit të kësaj organizate, si në vendin tonë, ashtu edhe jashtë shtetit si prezencë shqiptare", tha Rama.







All the contents on this site are copyrighted ©.