2013-09-18 15:10:45

Papa në audiencën e përgjithshme: Kisha është nënë e mëshirshme, që nuk e mbyll kurrë portën


Si të mërkurën e kaluar, edhe në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, Papa iu rikthye imazhit të Kishës si Nënë, që di të jetë gjithmonë e mëshirshme, plot durim e mirëkuptim. Kisha, nënvizoi Ati i Shenjtë, na lëshon në duart e Zotit e u mëson bijve të vet udhën e drejtë për tek Hyji, i shoqëron dhe i qorton kur gabojnë, duke u përpjekur t’i kthejë gjithnjë në rrugën e nisur:
“Kisha është kështu, është nënë e mëshirshme, që kupton, që kërkon gjithnjë të ndihmojë, t’u japë guxim edhe bijve që kanë gabuar e gabojnë, nuk e mbyll kurrë portën e Shtëpisë, nuk gjykon, por u ofron faljen e Zotit, u jep dashurinë e saj, e cila i fton të rikthehen në udhën e drejtë edhe ata, që kanë rënë poshtë e më poshtë. Nëna nuk ka frikë të hyjë në natën, që po jetojnë, për t’u dhënë shpresë. Kisha nuk ka frikë të hyjë në natën tonë, kur përjetojmë errësirën e shpirtit, të ndërgjegjes, për të na dhënë shpresë! Sepse Kisha është nënë!”
Nga ana tjetër, mund të ndodhë që një bir, kur rritet, kur ecën me këmbët e veta, të gabojë, të shmanget nga udha e drejtë e të marrë shtigje, që e çojnë drejt humnerave të paparashikueshme. Nëna, tha Papa Françesku, gjithnjë, në çdo situatë, tregohet e durueshme dhe vazhdon t’i ndjekë të bijtë. Ajo që e nxit, vazhdoi Ati i Shenjtë, është forca e dashurisë. Nëna di t’i ndjekë të bijtë me kujdes, me ëmbëlsi e, kur gabojnë, e gjen gjithnjë mënyrën për t’i kuptuar, për t’u qëndruar pranë:
“Në anët tona, ne themi se një nënë di të ‘dar la cara’. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë që një nënë di ‘të përballet me këdo’ për bijtë e vet, do të thotë se i mbron gjithmonë. Mendoj për nënat, që vuajnë për bijtë në burg, ose në situata të vështira: nuk pyesin nëse këta bij janë fajtorë apo jo, vazhdojnë t’i duan e shpesh poshtërohen për këtë, por nuk kanë frikë, nuk rreshtin së dhuruari vetveten. Nënat dinë të përballen me të gjithë për bijtë e tyre”.
Kjo ndodh, shtoi Papa Françesku, sepse i kanë ndjekur që nga çasti i parë, duke u mësuar bijve të ecin në jetë e duke e bërë këtë me ëmbëlsi, me dashuri, me dhembshuri, gjithmonë. Dinë ç’është e rëndësishme që të bijtë të ecin mirë në jetë. E këtë nuk e kanë mësuar nga librat. Universiteti i nënave, theksoi Ati i Shenjtë, është zemra: aty mësojnë si t’i rrisin fëmijët. Kështu është edhe në Kishë, e cila na orienton, na mëson si të ecim në udhë të drejtë. Duke reflektuar për dhjetë Urdhërimet e Tënzot, Papa Bergolio shpjegoi se ato na tregojnë udhën e nuk janë thjesht një listë me “mos” (mos bëj këtë e mos bëj atë), por janë fryt i dhembshurisë dhe i dashurisë së Zotit, që na i ka dhuruar. Papa i ftoi të gjithë t’i lexojnë sërish, sepse ndoshta – bëri shaka – ndoshta ndokush i ka harruar:
“Na ftojnë të mos shkojmë pas idhujve materialë, që pastaj na bëjnë skllevër, na thonë të kujtohemi për Zotin, të kemi respekt për prindërit, të jemi të ndershëm, të respektojmë tjetrin… Provoni t’i shihni kështu dhe t’i konsideroni si të ishin fjalët e mësimet e nënës, për të ecur si duhet në jetë. Nëna nuk të mëson kurrë keq, u do të mirën bijve të vet e, kështu bën edhe Kisha”.
E ashtu si nënat, pa bërë llogari, di edhe të kërkojë, të trokasë në çdo derë për bijtë e vet. Troket në portën e zemrës së Zotit, duke u lutur për bijtë, sidomos për më të dobtit, për ata që kanë më shumë nevojë, për ata që kanë marrë udhë të rrezikshme, ose të gabuara në jetë. Kisha, nënvizoi Papa Françesku, me anë të lutjes, i lë në dorën e Zotit të gjitha situatat e bijve. Duke kujtuar vizitën e kohëve të fundit në kishën e Shën Augustinit në Romë dhe lutjet e nënës së tij, shën Monikës, për kthimin e të birit në udhën e Hyjit, Papa i ftoi të gjithë të kenë besim tek lutja e Kishës, pasi Zoti është tejet i ndjeshëm ndaj saj:
“Mendoj për ju, të dashura nëna: sa luteni për bijtë, pa u lodhur! Vazhdoni të luteni, t’ia besoni fëmijët tuaj Zotit. Ai ka zemër të madhe! Trokisni në portën e zemrës së Hyjit me lutjen për bijtë”.
Në përfundim të katekizmit, Ati i Shenjtë përshëndeti ndër të tjerë, edhe Delegacionin ndërministror qeveritar për Punët Fetare të Republikës Socialiste të Vietnamit, sot, i pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, në një shenjë të vogël mirëdashjeje ndaj Vatikanit e Papës së Romës.







All the contents on this site are copyrighted ©.