Papa Benedikti XVI, Shën Robert Belarmini na mëson se nuk mund të ketë reformë në
Kishë, pa reformën vetjake e pa kthesën e zemrës.
Figura e shën Robert Belarminit, kardinal jezuit e dijetar i Kishës, ishte në qendër
të katekizmit të Papës Benediktit XVI nëaudiencën e përgjithshme të datës
23 shkurt 2011, mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan. Bari shpirtrash, prijës
i madh, e model i njeriut që lutet: këto, sipas Benediktit XVI, ishin tiparet themelore
të Shën Robert Belarminit i cili, me shkrimet e tij të teologjisë e të përshpirtërisë,
luajti një rol të dorës së parë në Kishën e pas Koncilit të Trentit, për t’iu përgjigjur
Reformës protestante, lindur nga kriza e thellë fetare: “Ai i shmanget
toneve polemike e agresive kundër ideve të Reformës, por, duke përdorur argumentet
e arsyes e të traditës së Kishës, e shpjegon qartë e me sukses doktrinën katolike”. Anëtar
i një numri të madh kongregatash, Kardinali jezuit kreu edhe detyra të rëndësishme
diplomatike. E megjithatë, barra e rëndë e drejtimit të Kishës, nuk e pengoi të ecte
ditë për ditë në rrugën e shenjtërisë. E në sa ecte në këtë rrugë, i kushtoi vëmendje
të veçantë predikimit e katekizmit: “Predikimet dhe katekizmat e tij
kanë karakterin thelbësor, që ai e përvetësoi nga edukimi injacian. Synojnë përqendrimin
e të gjitha forcave të shpirtit tek Zoti Jezus, për ta njohur thellë, për ta dashur,
për t’i përngjarë”. Në shkrimet e tij – vijoi Papa Benedikti XVI– thekson
me forcë se mësimet e Zotit duhet të zënë vendin e parë në jetën e çdo njeriu. Prej
këndej, vend të parë duhet të ketë edhe lutja. E ai jo vetëm që e predikoi këtë, por
edhe e jetoi. U bë model i shkëlqyer i njeriut gjithnjë në lutje: një lutje, që ushqehet
me Fjalën e Zotit, që e dëgjon këtë Fjalë; model i njeriut, që nuk pyet për interesat
vetjake, por e lëshon me gëzim gjithë vetveten në dorë të Zotit: “Shenjë
dalluese e përshpirtërisë së Belarminit është perceptimi i gjallë personal i mirësisë
së pambaruar të Zotit. Prej këndej, Shenjti ynë ndjehej vërtet bir i dashur prej Tij.
E ishte burim i një gëzimi të madh çasti kur, me qetësi e thjeshtësi, gjunjëzohej
për t’u lutur e për të kundruar Zotin”. I formuar me përshpirtërinë injaciane
– shtoi Benedikti XVI – Belarmini na lë trashëgim, si normë të sigurt për të jetuar
mirë e, sidomos, për të bërë një vdekje të mirë, meditimin e shpeshtë e serioz mbi
çastin e fundit, çastin kur njeriu do të japë llogari para Zotit për të gjitha veprat
e veta. Nga i cili nuk mund të shpëtojë askush. Prej këndej, edhe porosinë të mos
përpiqemi për të mbledhur pasuri mbi këtë tokë, por të jetojmë thjeshtë, me zemrën
plot dashuri të krishterë, sepse vetëm kështu njeriu mund të grumbullojë pasuri për
qiell, ku hajduti nuk hyn dot e tenja nuk mund të brejë. Dijetari i Kishës i bën thirrje
të fuqishme klerit e besimtarëve për reformimin e jetës: “Belarmini na mëson
me qartësi të madhe e me shembullin e vetë jetës së tij se nuk mund të flitet për
reformë të vërtetë në Kishë, në se kësaj reforme nuk i paraprin reforma personale,
kthimi i zemrës sonë në rrugën e Zotit”. Ngjarjet e favorshme a të pafavorshme,
pasuritë a varfërinë – tha Papa Jozef Ratcinger duke i bërë jehonë njërit nga shkrimet
e jezuitit - njeriu i urtë nuk i kërkon e nuk i pranon duke pasur parasysh vetëm vetveten.
Të gjitha ngjarjet, të këndshme a të pakëndshme, që na pëlqejnë a na trondisin, janë
të mira e të dëshirueshme vetëm në se vihen në shërbim të lavdisë së Zotit: “Nuk
janë fjalë të dala nga moda, por për t’u medituar gjatë e për të orientuar rrugën
tonë mbi këtë tokë. Na kujtojnë se fundi i jetës sonë është Zoti, Hyji që u dëftua
në Jezu Krishtin, në të cilin vijon të na bëjë thirrje e të na premtojë bashkimin
me Të”. Këto fjalë - shtoi Benedikti XVI - na kujtojnë sa rëndësi ka t’ia
besojmë vetveten Zotit, të shkrijmë gjithë jetën në shërbim të Ungjillit, ta ndriçojmë
me fe e lutje çdo rrethanë e çdo veprim të jetës sonë, gjithnjë të prirur drejt bashkimit
me Të.