2013-09-16 17:05:42

Lindje e Mesme: mbledhja e ipeshkvijve latinë të botës arabe


Filloi sot në Romë mbledhja e rregullt e përfaqësuesve të Konferencave të ipeshkvijve latinë të rajoneve arabe, organizëm kishtar që përfshin ipeshkvijtë katolikë të ritit latin të pranishëm në Shtetet arabe të Lindjes së Mesme, në Egjipt e në Somali. Sesioni në të cilin zhvillohen punimet do të zgjas deri të premten më 20 shtator në një rezidencë meshtarake në afërsi të Vatikanit. Gjatë qëndrimit në Romë, çdo ipeshkëv pjesëmarrës në këtë mbledhje, do të ketë rastin për të marr pjesë si bashkëkremtues në Meshën e përditshme të kryesuar nga Papa Françesku, çdo mëngjes në shtëpinë Shën Marta në Vatikan. Në punimet e këtij takimi – në të cilin merr pjesë edhe Patriku i Jerusalemit të Latinëve Fouad Twal- do të flitet rreth nismave të fundit në kuadrin e Vitit të Fesë e për 50-vjetorin e fillimit të Koncilit II të Vatikanit.
Organizmi kishtar që bashkon ipeshkvijtë e ritit latin të pranishëm në Vendet arabe qe themeluar më 1967 pikërisht si instrument për të favorizuar kolegjialitetin dhe bashkimin ndërmjet Kishave lokale, në kuadrin e zbatimit të reformës konciliare. Ngjarjet që kanë përfshirë Lindjen e Mesme e që ndikojnë rëndë edhe mbi komunitetet e krishtera arabe do të jenë në qendër të shkëmbimit të opinioneve ndërmjet ipeshkvijve të Vendeve arabe mbledhur në Romë.







All the contents on this site are copyrighted ©.