2013-09-13 19:20:30

Rama në Kosovë: Vlerësoj punën e Berishës për TAP. Të bashkohemi çdo nëntor në Vlorë


(marrë nga Balkanweb)Kryeministri i ri i Shqipërisë, Edi Rama, nisi sot vizitën e tij të parë zyrtare dhe pikërisht në Kosovë. Në këtë vizitë Rama të shoqërohet nga bashkëpunëtorë të afërt dhe ministra të kabinetit të tij. Kryeministri shqiptar pak para orës 9:00 nisi vizitën zyrtare në Kosovë. Për nder të tij, në sheshin 'Skënderbe' u rreshtua Garda e Nderit dhe u ekzekutuan himnet e Kosovës dhe ai i Shqipërisë. Në shesh Rama u priti nga kryeministri i vendit Hashim Thaçi.


Në konferencën e përbashkët mes kryeministrit të Kosovës Hashim Thaci dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama u vu theksi tek rritja e bashkëpunimit në konkretizimin e marrëveshjeve mes dy shteteve tona, ndërsa krerët e qeverive nuk nguruan ta shtrijnë vizion e tyre edhe më tej, në rritjen e bashkëpunimit me çdo vend të rajonit me qëllim integrimin në familjen e madhe evropiane.

Në fjalën e mbajtur në Kuvendin e Kosovës Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama duke vlerësuar punën e paraardhësit të tij Sali Berisha në projektin TAP, premtoi se qeveria e tij do shkojë dhe më tej për të bërë të mundur që një degëzim i saj të përfshijë dhe Kosovën.


Duke prekur temën më të nxehtë për shqiptarët, marrëdhëniet me fqinjët, Rama bëri shpalosi idenë e kthimit të Preshevës në shembullin e pakicave dhe lajtmotiv të dialogut Kosovë-Serbi, ndërkohë duke sjellë në vëmendje çështjen Çame, Rama tha se zgjidhja do ketë në themel traktatin e bashkëpunimit me Greqinë.


Këtë vizitë, Rama e kishte paralajmëruar edhe më herët gjatë takimit që pati në Tiranë me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi. Madje, në këtë takim u fol se dy qeveritë do zhvillonin mbledhje të përbashkëta që kishin si synim rritjen e bashkëpunimit për realizimin e qëllimit të përbashkët, bashkimit nën qiellin e BE, siç deklaroi Rama.

RAMA: PA RUGOVËN KOSOVA NUK DO TË BËHEJ REALITET
Kryeministri Edi Rama zhvilloi homazhe pranë varrit të ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Sipas kryeministrit shqiptar, Rugova dhe shumë të tjerë kanë dhënë gjithçka për Kosovën.
“Në këtë vend ku prehet një njeri pa të cilin Kosova që kemi sot nuk do të ishte bërë realitet, siç nuk do të ishte bërë pa të gjithë protagonistët e tjerë, ata që dhanë jetën për të dhe ata që vazhdojnë të punojnë pa u lodhur për ndërtimin e saj shtet i ri, sovran, demokratik. Lavdi përjetë kujtimit të Ibrahim Rugovës dhe të të gjithë atyre që vunë gjithçka kishin në themelet e Kosovës së re”,- deklaroi Rama.








All the contents on this site are copyrighted ©.