2013-09-13 16:59:11

Patriku Gregori III, Obamës: “Udhëheqës të mëdhenj janë ata, që dinë si të vendosin paqen”


“Një udhëheqës është i madh kur e kërkon dhe e arrin paqen, e jo kur bën luftë e krijon shkatërrim. Një superfuqi është e tillë, kur tregon fuqinë e pajtimit”: me këto fjalë i drejtohet presidentit amerikan Barak Obama, Patriku greko-katolik melkit i Damaskut, Gregori III Laham, menjëherë pas fjalimit drejtuar kombit, me të cilin, kreu i Shtëpisë së Bardhë duket sikur e largoi idenë e ndërhyrjes ushtarake në Siri. “Logjika e dhunës nuk është kurrë logjika e njerëzve të urtë – shkruan Patriku. I ftojmë krerët politikë të botës t’i kthehen Fjalës së Jezusit në Ungjill: ajo është e mjaftueshme për të ndërtuar një botë të qytetëruar, të lirë, me dinjitet, dashuri e mëshirë. Siria – vazhdon Gregori III Laham – është ngushtësisht e lidhur me vendet fqinje. E nëse digjet një dru i pyllit, digjet krejt pylli”. Duke vlerësuar përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktit në Siri, Patriku melkit bën thirrje të hiqet dorë nga dhuna e i fton besimtarët të luten, ashtu siç kërkon Papa, për paqen në Siri e në botë.







All the contents on this site are copyrighted ©.