2013-09-13 14:45:10

Papa: thashethemet janë kriminale, sepse vrasin Zotin dhe të afërmin


Kush flet keq për tjetrin është hipokrit dhe nuk ka guxim të shohë mangësitë e veta. Në meshën e mëngjesit, Papa Françesku e ngriti sot zërin kundër llafeve, kundër fjalëve të këqia e thashethemeve, që kanë një përmasë kriminaliteti, sepse sa herë flasim keq për vëllezërit tanë, tha ai, imitojmë gjestin vëllavrasës të Kainit.
“Pse e shikon lëmizhden në sy të vëllait e nuk e sheh traun në syrin tënd?” Ati i Shenjtë u nis nga kjo pyetje e Jezusit në Ungjillin sipas Lukës, që i flet ndërgjegjes së çdo njeriu, në të gjitha kohrat. Pasi nënvizon përvuajtërinë, Jezusi përmend të kundërtën e saj, atë sjellje të urryer ndaj të afërmit, për të cilën bëhemi gjykatës të vëllezërve tanë. E këtu, tha Papa, Jezusi përdor një fjalë të fuqishme: hipokrit:
“Ata që jetojnë duke gjykuar të afërmin, duke folur keq për të afërmin, janë hipokritë, sepse nuk kanë forcë, nuk kanë guxim të shohin mangësitë e veta. Për këtë, Zoti nuk thotë shumë fjalë. Më pas, thotë se ai, që ka urrejtje kundër vëllait në zemër, është vrasës… Edhe Shën Gjoni Apostull, në Letrën e tij të parë, e thotë qartë: ai që e urren vëllain e vet, ecën në errësirë; kush e gjykon vëllain e vet, ecën në errësirë”.
E kur i gjykojmë vëllezërit, edhe sikur mendimin tonë ta mbajmë mbyllur në zemër, e kur flasim keq për ta me të tjerët, bëhemi të krishterë vëllavrasës, theksoi Ati i Shenjtë:
“Një i krishterë vrasës… Nuk e them unë këtë, e thotë Zoti. E këtu, s’ka vend për lojra. Nëse flet keq për vëllain tënd, e vret. E ne, sa herë bëjmë kështu, imitojmë gjestin e Kainit, vrasësit të parë të historisë”.
Në këtë kohë, shtoi Papa Françesku, kur flitet shumë për luftë e kur kërkohet paqja, duhet t’i kthejmë sytë nga Zoti e jo nga Kaini. “Thashethemet – paralajmëroi Ati i Shenjtë – shkojnë gjithnjë drejt përmasës së kriminalitetit. Nuk ka thashetheme të pafajshme”. Gjuha, tha Papa duke cituar shën Jakobin Apostull, është për të lëvduar Zotin, por kur e përdorim për të folur keq për vëllain, ose motrën tonë, e vrasim Hyjin”, pasi vrasim imazhin e Zotit në vëllain tonë. Ndokush mund të thotë se filani i meriton thashethemet, vazhdoi Papa Bergolio. Por s’mund të jetë gjithmonë kështu:
“Shko, lutu për të! Bëj pendesë për të! E pastaj, nëse është e nevojshme, fol me atë person, i cili mund të ndryshojë. Por mos ua thuaj të gjithëve! Shën Pali ishte mëkatar i madh e thoshte për vetveten: ‘Më parë qeshë blasfemues, salvues dhe arrogant. Por gjeta mëshirë’. Ndoshta askush prej nesh nuk blasfemon – ndoshta. Por nëse ndokush bën thashetheme, sigurisht që është salvues dhe arrogant. T’i lutemi Zotit për ne, për krejt Kishën, që të na japë hirin e kthimit nga kriminaliteti i thashethemeve në dashurinë, në përvuajtërinë, në butësinë, në zemërgjerësinë e në shpirtmadhësinë ndaj të afërmit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.