Papa Françesku pret 3.500 shtegtarë të Urdhërit të Varrit të Shenjtë të Jeruzalemit
Sot pasdite, Papa Françesku priti në Sallën Pali VI në Vatikan, mëse 3.500 shtegtarë
të Urdhërit të Varrit të Shenjtë të Jeruzalemit, me në krye Mjeshtrin e Madh, kardinalin
Eduin O’Brajën. Paradite, ata morën pjesë në meshën e kremtuar në Bazilikën e Shën
Palit jashtë Mureve të Romës. Para se të takoheshin me Atin e Shenjtë, shtegtarët
katolikë dëgjuan katekizmin e kryetarit të Këshillit Papnor për nxitjen e ungjillëzimit
të ri, imzot Rino Fizikela. Shtegtimi në Romë nisi të martën e do të përfunojë
të dielën pasdite, gjithnjë në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve. Gjatë këtyre
ditëve, janë kremtuar meshë në disa kisha të rëndësishme të Qytetit të Amshuar. Me
këtë rast, Postat e Vatikanit do të emetojnë një vulë filatelike e do të realizojnë
një fletëpalosje të ilustruar me titull “Papa Françesku takon Urdhërin Kalorsiak të
Varrit të Shenjtë të Jeruzalemit”. Në pesë gjuhë të ndryshme të botës, do të botohet
një përmbledhje e historisë së Urdhërit, takimi i Papës Françesku me Mjeshtrin e Madh
dhe “Lutja e kalorësve dhe e damave” të Urdhërit. Kujtojmë se Urdhëri i Varrit
të Shenjtë e ka origjinën në vitin 1099 e, së bashku me Urdhërin e Maltës, konsiderohet
si urdhëri më i lashtë asistencial, bamirës, kalorësiak e fetar i krishterimit, akoma
aktiv. Vërtet, kalorësit dhe damat e Urdhërit kontribuojnë në mbajtjen e në plotësimin
e nevojave të Kishës Katolike në Tokën Shenjte.