2013-09-13 17:15:31

Letër e Patrikut ortodoks rus, Kirill për Obamën: “SHBA-të të dëgjojnë zërin e krerëve fetarë”


Me rastin e 12-vjetorit të atentateve të 11 shtatorit 2001, Patriku i Moskës dhe i të gjithë Rusive, Kirill, i dërgoi një mesazh presidentit amerikan, Barak Obama, duke e ftuar të hedhë poshtë planet për ndërhyrje ushtarake kundër regjimit sirian të Bashar al-Asadit e të ndjekë udhën diplomatike. “Kisha ortodokse ruse – shkruan Kirill – e njeh çmimin e vuajtjeve e të humbjeve njerëzore, pasi populli ynë ka përjetuar, shekullin e kaluar, dy luftra botërore shkatërrimtare, që shkaktuan miliona të vdekur e rrënuan jetën e shumë e shumë njerëzve. Gjithashtu, i ndjejmë si tonat dhimbjen dhe humbjet e popullit amerikan në sulmet e tmerrshme terroriste të 11 shtatorit 2001”.
12 vjet pas atyre atentateve, të cilat patën pasoja destabilizuese për gjithë botën, që ndihen edhe sot, Patriku rus i kërkon Obamës të dëgjojë zërat e krerëve fetarë, që unanimisht, shprehen kundër ndërhyrjes ushtarake në Siri e të bëjë çdo përpjekje për të filluar sa më shpejt bisedimet për paqen. Sipas kreut të Kishës Ortodokse Ruse, ndërhyrja ushtarake do të favorizonte ardhjen në pushtet të forcave radikale integraliste, që s’e kanë aspak për zemër bashkëjetesën paqësore ndërmjet feve. Patriku shpreh shqetësime për të krishterët e Sirisë, që do të shfaroseshin në masë e do të detyroheshin të ikin nga shtëpitë e tyre. Në të njëjtën gjuhë me Kremlinin, Patriku Kirill i kërkon presidentit amerikan të shfrytëzojë propozimet e bëra për kontrollin ndërkombëtar të armëve kimike në Siri e të mos e japë urdhërin për ndërhyrje ushtarake.







All the contents on this site are copyrighted ©.