2013-09-10 12:26:32

Papa: nuk duhen sjellje triumfalizmi në Kishë, por duhet dëshmuar Jezusi pa frikë e turp


Të krishterët janë të thirrur ta dëshmojnë Jezusin pa frikë, pa turp, por edhe pa triumfalizma të kota. Kështu foli sot në mëngjes, Papa Françesku, në meshën e zakonshme në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë vuri theksin në rrezikun për të qenë të krishterë pa Ringjallje dhe përsëriti mesazhin e tij të këtyre ditëve, se Krishti është gjithnjë qendra dhe shpresa e jetës.
Jezusi është Fitimtari, Ai që fitoi mbi vdekjen dhe mëkatin. Papa Françesku mori shkas nga Letra e Shën Palit drejtuar Kolosianëve, të cilët i këshillon të ecin me Jezusin, me Fitimtarin, të fortë në fe. Jezusi u ngjall së vdekurish, vuri në dukje Ati i Shenjtë. Kjo është qendra e krishterimit, por nuk është e lehtë të kuptohet. Kur shën Pali u fliste athinasve, ata e dëgjuan deri kur përmendi Ringjalljen e Krishtit, pastaj jo më, sepse është diçka e vështirë, disi e frikshme, një episod, që edhe sot shtron pyetje para të krishterëve:
“Ka shumë të krishterë pa Ringjallje, të krishterë pa Krishtin e Ngjallur: e shoqërojnë Jezusin deri në varr, derdhin lot, e duan shumë, por nuk shkojnë më tej. Duke menduar për këtë qëndrim të të krishterëve pa Krishtin e Ringjallur, unë gjeta tre tipa, por ka shumë: të frikësuarit, të krishterët, që kanë frikë; të turpshmit, ata, që kanë turp; dhe triumfalistët. Këta tre tipa nuk janë takuar me Krishtin e Ringjallur! Të frikësuarit: janë ata të mëngjesit të Ringjalljes, ata të Emausit… ikin, kanë frikë”.
Apostujt, kujtoi Papa Françesku, mbyllen në Çenakull nga frika e judenjve, edhe Madalena qan, sepse i kanë marrë Trupin e Zotit të saj. “Të frikësuarit janë gjithmonë kështu: kanë frikë ta mendojnë Ringjalljen”, nënvizoi Ati i Shenjtë. Pastaj, kemi të krishterët e turpshëm. Të dëshmosh se Krishti është ngjallur, shkakton turp në këtë botë, e cila shkon përpara me shkencë, tha Papa. Këtyre të krishterëve, Shën Pali u tërheq vëmendjen, duke i këshilluar të mos bien pre e filozofisë dhe e sofizmave të saj. Këta, vërejti Papa, kanë turp të thonë se Krishti është ngjallur, me korp e me të gjitha plagët e trupit të Tij. E së fundi, është grupi i të krishterëve, që në të vërtetë, brenda vetes nuk besojnë në Ringjalljen e Jezusit, por e valëvisin atë, si të ishte flamur, për t’u treguar të tjetërve se janë shumë të zellshëm në punët e Kishës. Këta janë të krishterët triumfalistë:
“Nuk e njohin fjalën ‘triumf’, por vetëm ‘triumfalizmin’, sepse kanë komplekse inferioriteti e duan të bëjnë gjithnjë e më shumë… Kur shohim këta të krishterë, me kaq shumë sjellje triumfalizmi në jetë, në fjalët që thonë e, edhe në baritori, në Liturgji, duhet ta kuptojmë se në intimitet, në shpirt, ata nuk besojnë thellësisht në Krishtin e Ringjallur. Ai është Fitimtari, i Ringjalluri. Ai fitoi. Prandaj, pa frikë, pa triumfalizma, thjesht duke parë Zotin e Ringjallur, bukurinë e Tij, t’ia vemë gishtin në plagë e dorën në ije”.
Ky është mesazhi i sotëm i Shën Palit Apostull, vazhdoi Papa: Krishti është gjithçka, është tërësia, është shpresa, sepse është Dhëndrri, është Fitimtari. Në Ungjillin e sotëm flitet edhe për shumë të sëmurë, që shkonin ta preknin Jezusin, sepse me forcën e Tij, Ai i shëronte:
“Feja jonë, feja në të Ringjallurin: ajo fiton mbi botën! Të shkojmë drejt Krishtit e ta lemë veten, si këta të sëmurë, të prekemi prej Tij, prej forcës së Tij, sepse Ai është me mish e me gjak, nuk është ndonjë ide shpirtërore, që kalon… Ai është i gjallë. U ngjall. E kështu, fitoi mbi botën. Zoti na dhashtë hirin për t’i kuptuar e për t’i jetuar këto gjëra”.








All the contents on this site are copyrighted ©.