2013-09-10 13:57:35

Papa Françesku mbledh krerët e dikastereve të Kuries romake mbi qeverisjen e Kishës


Sot, në Sallën Bologna të Pallatit Apostolik në Vatikan, u mbajt një mbledhje në të cilën Ati i Shenjtë Bergoglio i ftoi të gjithë Krerët e Dikastereve të Kuries Romake, Presidentin e Guvernatoratit dhe Kardinalin Vikarë Papnor të dioqezës së Romës.
Papa Françesku gjatë muajve të kaluar ka takuar personalisht të gjithë Krerët e Dikastereve të Selisë së Shenjtë dhe me çdonjërin prej tyre ka pasur një bisedë të gjerë. Sot paradite Papa Françesku i takoi të gjithë së bashku, në një mbledhje kryesuar nga ai personalisht, ndërsa po mbushet i gjashti muaj i papnisë së tij.
Është fjala për një mbledhje, gjatë së cilës u dëgjuan mendimet dhe këshillat e bashkëpunëtorëve kryesorë të Papës në Romë. Ajo është pjesë e zbatimit të sugjerimeve që u paraqiten nga kardinajtë gjatë Kongregacioneve apo Mbledhjeve parapërgatitore të Konklavit dhe të reflektimeve të Atit të Shenjtë Bergoglio mbi qeverinë e Kishës, që shpejt do të ketë një moment tjetër të rëndësishëm me mbledhjen e Grupit të 8 kardinajve në fillim të tetorit të ardhshëm. Audienca e sotme filloi në ora 10.00 e u mbyll pak para orës 13.00







All the contents on this site are copyrighted ©.