Rebelët sulmojnë shtëpitë e Maalulës në Siri. Vriten tre të rinj të krishterë
Trupa të krishterësh, të vrarë e të braktisur në anë të rrugës, shtëpi e kisha, shkatërruar
e plaçkitur. Është skenari i Maalulës në Siri, vend, rreth 60 km larg Damaskut, sulmuar
ditët e kaluara nga rebelët islamikë. Maalula, djep i traditës së krishterë siriane
e vendi i vetëm i botës ku flitet gjuha e Krishtit, gjuha aramaike, është tashmë një
qytet fantazmë. Burime të agjencisë Azianjuz (anonime për arsye sigurie), tregojnë
se rebelët islamikë po plaçkisin shtëpitë. Dje, ata vranë tre vetë dhe morën peng
gjashtë të rinj të krishterë të Kishës greko-katolike. Kufomat janë lënë në rrugë,
si kërcënim për popullsinë. Shumë familje janë bllokuar në shtëpitë e tyre e nuk munden
as të ikin. Askush nuk di në ç’gjendje jetojnë. Gjendja është kritike edhe për
ata, që kanë arritur të largohen nga fshati. Kanë lënë aty gjithçka kishin, prandaj
fillojnë një Kalvar të ri. Famullitë e kryeqytetit i kanë mirëpritur, por ushqimet
nuk mjaftojnë për një kohë të gjatë. Janë njerëz të traumatizuar, shpjegon agjencia
Azianjuz, nuk kanë nevojë vetëm për ushqime, ujë, një shtrat për të fjetur, por edhe
për përkrahje shpirtërore, sidomos të moshuarit, gratë e fëmijët. Rebelët e “Free
Syrian Army” sulmuan fshatin më 5 shtator, duke mundur trupat e regjimit të Asadit,
falë mbështetjes së brigadave al-Nusra, lidhur me Al Kaedën. Pasi morën në dorë vendin,
ata filluan të profanojnë vendet e krishtera të kultit, duke shkatërruar kryqet mbi
kupolën e manastirit greko-katolik të shenjtorëve Serxho e Baku. Shehu i fshatit,
kreu i bashkësisë myslimane, tregon i njëjti burim i Azianjuz, i dënoi sulmet, duke
deklaruar se ç’po ndodh është kundër Islamit. “Dhuna nuk mund të ushtrohet as në emër
të Allahut, as në emër të Muhametit”, deklaroi ai, por pa dobi.