2013-09-09 12:21:19

Papa: shpresa e krishterë nuk është optimizëm, është shumë më tepër, është Jezusi


Virtyti i shpresës – ndoshta më pak i njohur se ai i fesë dhe i dashurisë – nuk duhet ngatërruar kurrë me optimizmin njerëzor, i cili është qëndrim, që varet nga humori i çastit. Për të krishterin, shpresa është Jezusi vetë, është forca e Tij për ta çliruar e për ta ribërë nga e para çdo jetë. Kështu tha Papa Françesku, sot në mëngjes, gjatë homelisë së meshës në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan.
Shpresa është “dhuratë” e Jezusit e mban emrin e Tij, nënvizoi Ati i Shenjtë. Shpresa e krishterë i kapërcen kufijtë e optimizmit, komentoi Papa Letrën, me të cilën Shën Pali Apostull u shkruan Kolosianëve: “Krishti është ndër ju, shpresa e lavdisë”. E pavarësisht nga kjo, shpresa konsiderohet si të ishte virtyt i dorës së dytë, nëse krahasohet me fenë e dashurinë, vazhdoi Papa Bergolio:
“Shpresa është diçka tjetër, nuk është optimizëm. Shpresa është dhuratë, na e jep Shpirti Shenjt, prandaj shën Pali thotë: ‘Nuk të zhgënjen kurrë’. Shpresa nuk të zhgënjen kurrë, përse? Sepse është dhuratë, që na e jep Shpirti Shenjt. Por shën Pali na thotë edhe se shpresa ka emër. Shpresa është Jezusi. Nuk mund të themi: ‘Unë kam shpresë në jetën, kam shpresë në Zotin’, jo! Nëse nuk thua ‘Kam shpresë në Jezusin, në Jezu Krishtin, Njeri i gjallë, që vjen tani në Eukaristi, që është i pranishëm me Fjalën e vet’, e jotja nuk është shpresë. Është humor i mirë, optimizëm…”.
Po nga Ungjilli, Papa Françesku mori shkas për të bërë një reflektim të dytë. Episodi është ai, në të cilin Jezusi shëron dorën e paralizuar të një burri, ditën e shtunë, duke zgjuar kështu kritika nga ana e skribëve dhe e farisenjve. Me këtë mrekulli, tha Ati i Shenjtë, Jezusi, jo vetëm që e liron dorën nga sëmundja, por u tregon “zemërngurtëve” se udha e tyre nuk ka asgjë të përbashkët me lirinë e bijve të Hyjit. Liria e shpresa, pohoi Papa, ecin së bashku. Aty ku s’ka shpresë, nuk ka liri, nuk mund të rifillohet jeta nga e para, siç i dha mundësi Jezusi, atij që i shëroi dorën:
“Jezusi, shpresa, bën gjithçka nga e para. Është mrekulli e vazhdueshme. Jo vetëm bën mrekullinë e shërimit të sëmundjeve e gjëra të tjera - ato ishin vetëm shenja, sinjale të asaj që bën tani, në Kishë – por bën mrekullinë e rifillimit nga e para: këtë arrin Jezusi me jetën time, me jetën tënde, me jetën tonë. Ribën sërish. E kjo risi, kjo rinisje nga e para, që Ai e realizon, është arsyeja e shpresës sonë. Është Krishti, që i bën të reja mrekullisht të gjitha krijesat e Gjithësisë, është arsyeja e shpresës sonë. E kjo shpresë nuk zhgënjen, sepse Ai është besnik. Nuk mund ta mohojë vetveten. Ky është virtyti i shpresës”.
E këtu, Papa Françesku pati fjalë të veçanta për meshtarët. “Është pak e trishtuar – pohoi – kur gjen një prift pa shpresë”, ndërsa është bukur të gjesh dikë, që arrin deri në fund të jetës, “jo me optimizëm, por me shpresë”. “Ky lloj meshtari – vazhdoi Ati i Shenjtë – është i lidhur ngushtë me Jezu Krishtin e, populli i Zotit ka nevojë që ne meshtarët t’i japim këtë shenjë shprese, ta jetojmë këtë shpresë në Jezusin, që e bën gjithçka të re”:
“Zoti, që është shpresa e lavdisë, që është qendra, që është tërësia, na ndihmoftë në këtë rrugë: të japim shpresë, të kemi pasion për shpresën. E cila, siç e thashë, jo gjithnjë është optimizëm, por është ajo, që pati Zoja, në zemrën e vet, në errësirën më të thellë: në mbrëmjen e së Premtes së Madhe deri në mëngjesin e së Dielës së Ringjalljes. Atë shpresë, Ajo e kishte. E ajo shpresë ribëri gjithçka nga e para. Zoti na dhashtë këtë hir”.







All the contents on this site are copyrighted ©.