2013-09-08 14:25:37

Papa në Lutjen e Engjëllit të Tënzot: të ndalet dhuna në Siri. “Jo” luftës për të shitur armë, paqja kërkon durim


S’ishte shuar akoma jehona e mbrëmjes së djeshme të lutjes, kur edhe sot, Papa Françesku e ngriti zërin në Sheshin e Shën Pjetrit, me një denoncim të fuqishëm: lufta bëhet për arsye tregtare e për të shitur armë. Në gojën e Atit të Shenjtë, ajo frazë ironike – “A jemi të sigurtë që lufta nuk bëhet për të shitur armë?” – mori një rëndësi edhe më të madhe, mos për tjetër, sepse sqaroi farë mirë karakterin e mbrëmjes së djeshme, kësaj nisme “diplomatike” vatikanase, më e fuqishmja, që mund të ndërmarrë një papë.RealAudioMP3
Mjaft me urrejtje ndërmjet vëllezërve e mjaft me luftrat, që maskojnë interesa më ogruzeza, se objektivat zyrtare që propozojnë. 12 orë pas lutjes së mbrëmshme, të njëjtët protagonistë, në Sheshin e Shën Pjetrit për lutjen e Engjëllit të Tënzot, në mesditë. E sërish, Ati i Shenjtë bubullon, nëse dje, në favor të paqes, sot, kundër luftës, duke vënë në dukje kotësinë e saj:
“Për çfarë të shërben lufta, shumë luftra, nëse nuk je në gjendje të bësh luftë të thellë kundër së keqes? Nuk shërben për asgjë! Nuk shkon… Lufta kundër së keqes do të thotë t’i thuash ‘jo’ luftës vëllavrasëse dhe gënjeshtrave, që përdor ajo. T’i thuash ‘jo’ dhunës, në të gjitha format e saj! T’i thuash ‘jo’ përhapjes së armëve dhe tregtisë së tyre të paligjshme! E ka shumë të tjera! Ka shumë të tjera!”
E kishte përpara letrën e shkruar Papa Françesku, por nuk mungoi ta lerë mënjanë, për të theksuar disa kalime të saj, për ta ngritur edhe më lart zërin, për të denoncuar më fort, si në çastin kur shprehu dyshimin, që na bren të gjithëve, sa herë shohim popuj të kapin armët:
“Kjo luftë këtu, ajo luftë aty, sepse gjithandej ka luftë, a është vërtet luftë për shkak të problemeve, apo është luftë tregtare, për të shitur armë në tregtinë e paligjshme?”
Papa Françesku i bëri thirrje ndërgjegjes së të krishterëve e të jo të krishterëve, të gjithë njerëzve vullnetmirë, që të mendojnë me logjikën e shërbimit, duke mos ndjekur interesa të tjera, përveçse atyre të paqes e të së mirës së përbashkët. E askush nuk thotë se është e lehtë:
“Të ndjekësh Jezusin nuk do të thotë të marrësh pjesë në ndonjë kortezh triumfal! Do të thotë ta ndash me të tjerët dashurinë e Tij të mëshirshme, të hysh në veprën e madhe të mëshirës e të dashurisë për çdo njeri e për të gjithë njerëzit”.
Faleminderit, u tha Ati i Shenjtë të pranishmëve dhe të gjithë atyre, që u lutën mbrëmë bashkë me të, por theksoi:
“Impenjimi vazhdon: të ecim përpara me lutje e me vepra paqeje! Ju ftoj të vazhdoni të luteni, që të ndalë menjëherë dhuna e shkatërrimi në Siri e të punohet, me hov të ri, për një zgjidhje të drejtë të konfliktit vëllavrasës”.
E, sikur të kishte parasysh hartën, Papa Françesku u ndal në vendet e Lindjes së Mesme, e i përmendi gati një për një. U lut për Libanin, që të vazhdojë të jetë shembull bashkëjetese; për Irakun, që të ndalet dhuna sektare e t’i lerë vendin pajtimit; e u lut edhe për dy konflikte të tjera, njëri, i vjetër e tjetri, i ri:
“Të lutemi për procesin e paqes ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, që të ecë përpara me vendosmëri e guxim. E të lutemi për Egjiptin, që të gjithë egjiptianët, myslimanë e të krishterë, të impenjohen në ndërtimin e shoqërisë për të mirën e gjithë popullsisë. Udha drejt paqes është e gjatë e kërkon durim e këmbëngulje. Të ecim përpara me lutje”.
Para se të largohej nga dritarja mbi Sheshin e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë kujtoi lumnimin e djeshëm në Rovigo të Maria Bolonjezit, duke ua propozuar si shembull besimtarëve. “E kaloi gjithë jetën – komentoi Papa Françesku – duke u shërbyer të tjerëve, sidomos të varfërve dhe të sëmurëve, duke duruar vuajtje të mëdha në bashkim të thellë me Mundimet e Krishtit. Falenderojmë Zotin për këtë dëshmitare të Ungjillit”. Së fundi, duke kujtuar festën e sotme liturgjike të ditëlindjes së Shën Marisë Virgjër, e cila nderohet jashtëzakonisht nga Kishat Lindore, Papa Françesku u kërkoi besimtarëve të mendojnë për vëllezërit e Kishave ortodokse e katolike lindore. “Jezusi është dielli – tha Ati i Shenjtë – e Maria është aurora, që paralajmëron lindjen e Tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.