2013-09-08 17:16:35

Në Mbrëmjen e lutjes për paqen, sirianët ndoqën Papën. Fjalët e tij sjellin shpresë, thotë imzot Xenari , nunci apostolik në Damask


Në bashkim shpirtëror me Sheshin e Shën Pjetrit, në shumë vende të botës e, edhe në Siri, besimtarët e të gjitha feve u mblodhën mbrëmë për t’u lutur për paqen me Papën Françesku. Në katedralen katolike greko-melkite të Damaskut u mblodhën ipeshkvijtë katolikë e ortodoksë, së bashku me përfaqësues të qeverisë, të parlamentit e të bashkësisë myslimane. Kryeipeshkvi Mario Xenari, nunc apostolik në Siri, tregon, në mikrofonin tonë, si u pritën fjalët e Atit të Shenjtë
Në bashkësitë e ndryshme fetare, secila hartoi një program të vetin për lutjen, sipas mundësive, sepse – siç dihet – në disa zona është e vështirë të organizohet lutja në darkë. Megjithatë, më njoftuan se është organizuar kudo. Këtu, në Damask, u kremtua shumë solemnisht, në mënyrë të veçantë e prekëse, në katedralen greko-katolike melkite. Ishin të pranishëm ipeshkvij katolikë e ortodoksë, disa përfaqësues të qeverisë, të parlamentit, e disa përfaqësues të myslimanëve. Në përfundim të lutjes, që zgjati dy orë, nga ora 18 deri në orën 20, shumë njerëz erdhën e më kërkuan ta falenderoj Papën për këtë nismë të bukur. Katedralja mbeti hapur deri në mesnatë. Erdhën edhe gazetarë të televizioneve, të gazetave lokale, që gjatë këtyre ditëve do t’i bëjnë jehonë kësaj mbrëmjeje të kremtuar në Damask e të tjerave, organizuar kudo në Siri.
Çfarë ju bëri më tepër përshtypje nga fjalët e Papës?
Ishte një reflektim shumë, shumë i thellë, me imazhe shumë të bukura, që flasin e prekin, si për shembull, kur foli për planin e Zotit, i cili deshi të krijojë një botë, “shtëpi harmonie dhe paqeje”. Shumë i bukur ky imazh! Në të kundërt, shohim se në disa zona, si tani në Siri, bota nuk është më shtëpia e harmonisë dhe e paqes, për shkak të egoizmit të njeriut. E, u ndje si frymë shprese, këtu, ashtu si në të gjithë botën, bindja e patundur e Papës se mund ta rigjejmë këtë harmoni, me ndihmën e Zotit e me vullnetin e mirë. Ky besim i patundur i Atit të Shenjtë është vërtetë oksigjen, ajër i freskët, jo vetëm për Sirinë e Lindjen e Mesme, por edhe për të gjithë botën, mbi të cilën, këto ditë, ndehet një tis i errët e tepër i rëndë. E pra, kishim nevojë ta ndjenim këtë puhi të fortë shprese.
Papa i ftoi të gjithë, secilin një e nga një, ta konsiderojnë botën si shtëpi të përbashkët e si familje. Komenti juaj?
Iu drejtua secilit, çdo njeriu, deri tek ata, që kanë një farë përgjegjësie në fushën e shoqërisë e të politikës. Po mendoj edhe për imazhin tjetër të bukur që përdori, për ftesën që të shohim si reagoi Zoti ndaj dhunës: nëse shohim Krishtin në Kryq, kuptojmë se nuk iu përgjigj dhunës me dhunë, por me falje dhe pajtim.
Ndër të tjera, Papa Françesku tha: “I kemi bërë më të holla, arsyet për t’u justifikuar”. Si ju duket kjo kritikë e Atit të Shenjtë?
Më bëri shumë përshtypje. Do të thosha se duhet të reflektojmë të gjithë e, sidomos, ata që kanë përgjegjësi në politikë e në vendimet për fatet e kësaj bote. Paqja është pasuri – siç tha me të drejtë Papa – është pasuri e të gjithëve, është pasuri universale, prandaj, nuk mund të lihet vetëm në dorën e disave. Ky zinxhir njerëzor, universal i paqes duhet të vazhdojë ta ngrejë zërin.
Cila është pesha politike e kësaj dite?
Mendoj se do të ketë ndikim të madh. E shoh që këtu, nga Siria, se kjo nismë e Papës, fjalët e tij, kanë pasur vërtet jehonë të jashtëzakonshme. Njerëzit, me të cilët flas, më thonë se është diçka e jashtëzakonshme kjo jehonë e fjalëve, e reflektimeve, e nismës së Papës për Ditën e lutjes e të agjërimit. Dua të mendoj se në të gjithë botën do të ketë, pa tjetër, një jehonë pozitive e se mund të ndikojë për disa vendime, që duhet të merren.








All the contents on this site are copyrighted ©.