2013-09-07 19:18:16

Presidenti Kroacisë Josipoviç viziton Janjevën


Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipovic, vizitoi dje Janjevën, ku zhvilloi një takim me komunitetin kroat që jeton në këtë lokalitet të Kosovës, bashkë me Presidenten kosovare, Atifete Jahjaga, të pritur përzemërsisht nga banorët.
"Është nder për të gjithë ne që Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipovic po e viziton Republikën e Kosovës dhe ndjehemi veçanërisht të respektuar që viziton Janjevën, ku jeton komuniteti kroat tash e shumë shekuj me radhë", theksoi Presidentja Jahjaga.
Ajo tha se, dy Vendet tona, Kosova e Kroacia, dhe dy popujt tanë kanë marrëdhënie shumë të mira miqësore, të cilët i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit.
"Populli kroat e populli shqiptar kanë marrëdhënie të ndërthurura që datojnë që nga kohët më të hershme, marrëdhënie dhe lidhje ekonomike, tregtare që nga periudha e mesjetës dhe marrëdhënie në mes të princave të Dukagjinit dhe të Skënderbeut dhe të Republikës së Raguzës dhe me ngulimin e popullit shqiptar në Zarë dhe në bregdetin dalmatin dhe me ngulimin e popullit kroat këtu në Republikën e Kosovës", u shpreh Presidentja Jahjaga.
Dhe, shtoi ajo, kjo traditë e vendosur tashmë në mes të dy shteteve tona dhe dy popujve tanë, të marrëdhënieve të mira dhe miqësore në mes të dy shteteve tona gjithsesi që kontribuon dhe është në të mirë të bashkëpunimit të gjithë njerëzve të të dyja shteteve dhe popujve tanë.
Presidenti Josipovic, pasi shprehu kënaqësinë që është për vizitë në Janjevë, u shpreh: "Qindra vjet më herët, paraardhësit tuaj ishin këtu. Ju jeni sot këtu. Ruani emrin kroat, traditën kroate, kulturën kroate. Me gjithë vështirësitë, problemet, luftërat, problemeve ekonomike, ju jeni këtu, ruani identitetin tuaj dhe i kontribuoni shtetit tuaj, Kroacisë, por edhe lidhjeve me Kroacinë".
"Marrëdhëniet miqësore mes Kosovës dhe Kroacisë janë në një shkallë shumë të lartë dhe kjo do të reflektohet në gjendjen e kroatëve këtu. Biseduam me Presidenten, me Kryeministrin, me Kryeparlamentarin për banorët e Janjevës, në kuptimin që të përparohet dhe të ruhet tradita dhe kultura kroate dhe që të vendoset përfaqësimi politik i kroatëve në institucionet e Kosovës. Unë jam i sigurt se kjo do të realizohet në mënyrën më të mirë", tha Presidenti Ivo Josipovic.







All the contents on this site are copyrighted ©.