Liturgjia e Fjalës së Zotit e së dielës së 23-të “C”
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të
dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të
dielës së 23-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë
kishtare. Leximet biblike të dielës së 23-të na paraqesin fragmentin e Ungjillit
nga Luka, në të cilin Jezusi atij njeriu që dëshiron ta ndjek pas i kërkon një ndërprerje
të qartë, rrënjësore, të lidhjeve me familjarët e edhe me jetën personale. Këndej
thotë: “Kush nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk mund të jetë nxënësi im”. Të
jesh dishepull i Jezu Krishtit, do të thotë të jetosh pa kompromise, kërkon një dhurim
e përkushtim të plotë, një dashuri të plotë për Krishtin, një liri të brendshme të
plotë. Tema kryesore mbi të cilën Fjala e Zotit në këtë të diele dëshiron të na
bëjë të mendojmë e të meditojmë është kërkimi i pasionuar i Zotit për njeriun: "Kthehuni,
bijtë e njeriut". Ku e tek kush të kthehemi? Tek "urtia e zemrës", pohon Psalmi 89,
për të gjetur Zotin që është dashuri, njeriun tjetër që është vëlla i ynë, vetveten
si shëmbëlltyrë të Zotit, Jezu Krishtin si kuptim e shpjegim të ekzistencës personale.
Kur mbushemi e merremi vetëm me vetveten tonë, ne e humbasim aftësinë për ta
ndie ekzistencën e Zotit e atë të të afërmit. Që kjo të mos na ndodhë, Fjala e Zotit
e kësaj së diele, na fton ta duam Hyjin mbi gjithçka tjetër. E Tìta vësh Krishtin
në qendër të jetës sonë do të thotë të relativizosh gjithçka tjetër, përfshi këtu
edhe ndjenjat e dashuritë më të shtrenjta e të afërta, madje e edhe pasuritë.
Dashuria që duhet te kemi ndaj Krishtit nuk asgjëson e nuk mohon asnjë dashuri të
ligjshme e të detyrueshme, por i jep më tepër shije, ndërgjegjësim më të madhe e meritë
të re. Në leximin e parë, ngaLibri i Urtisë autori na fton t'i
kërkojmë Zotit dhuratën e urtisë për t'i kuptuar mirë sendet tokësore e të hapemi
ndaj sendeve qiellore. Psalmi na fton ta kërkojmë hirin hyjnor mbi jetën
tonë të shënuar nga mëkati, plotë besim në Zotin Krijues e Atë duke thënë, Dhurona,
o Zot, urtinë e zemrës…
Shën Pali në leximin e dytë të kësaj së diele,
ngaLetra e tij drejtuar Filemonit shfaq përdëllimin e
vet për Onezimin, skllavin e ikur e thotë: është "zemra ime". Pali i kërkon Filemonit,
pronarit të Onezimit, ta pranojë porsi vëlla. Në pjesën e Ungjillit
nga Luka, Jezusi, me dy shëmbëlltyra të shkurta, atë kullës e të luftës, na qorton
të rrimë zgjuar, të jemi të vëmendshëm mbi gatishmëritë tona, me maturi e guxim, për
ta ndjekur Atë nga afër. Liturgjia e Fjalës
Leximi
i parë Urt 9, 13-18 Autori do tu shpjegojë hebrenjve të tunduar
nga kultura greke se dituria e vërtetë vjen nga Hyji. Nuk mund të njohim planet e
Hyjit nëse Ai vetë nuk na i zbulon. Nuk mjafton të dish si është ndërtuar universi,
por duhet të dimë nga vjen dhe ku shkon ky univers. Dituria dhe Shpirti i Hyjit hyjnë
në mendimet e njeriut me qëllimin për të shenjtëruar dhe shpëtuar të gjithë njerëzit.
Lexim
prej Librit të Urtisë
E njëmend cili njeri mund ta dijë synimin e Hyjit?
Kush do të mund të kujtohet se çka do Zoti? Frikacake janë mendimet e të vdekshmëve
dhe të dyshimta parashikimet tona: sepse trupi i shkatërrueshëm e mundon shpirtin
dhe tenda tokësore e ndrydh mendjen përsiatëse. Mezi i parafytyrojmë gjërat tokësore
madje edhe sendet që i kemi në dorë mezi i kuptojmë, e kush atëherë do t’i shqyrtoje
gjërat qiellore? E kush e kishte njohur vullnetin tënd po të mos e kishe dhuruar
ti vetë urtinë e të mos e kishe dërguar prej së larti shpirtin tënd të shenjtë? Vetëm
kështu u bënë të drejta shtigjet e atyre që janë në tokë dhe vetëm kështu njerëzit
mësuan çka të pëlqen e, në saje të urtisë, qenë shëlbuar. Fjala e Zotit.
Psalmi
90
Na e jep, o Zot, urtinë e zemrës ----- -----
----- Ti e kthen njeriun në pluhur duke thënë: “Kthehuni, bijtë e Adamit!” Sepse
mijëra vjet për sy të tu janë si dita e djeshme që kaloi, porsi ndërrimi i rojës
së natës! ----- ----- ----- Ti i zhbin në gjasim të gjumit që
në mëngjes kalon si bari; lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron, në mbrëmje korret
edhe vyshket! ----- ----- ----- Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona që
zemra jonë dijen ta mbërrijë. Kthehu, o Zot! Deri kur kështu? Deh, ki mëshirë
për shërbëtorët e tu! ----- ----- ----- Na e ndiko në mëngjes mëshirën
tënde, e do të gëzohemi e do të galdojmë të gjitha ditët e jetës sonë. Raftë
mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë, bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona, të
përparojë vepra e duarve tona. ----- ----- -----
Leximi i
dytë Flm 9-10.12-17
Filemoni ishte një i krishterë
i Kolosit, i cili kishte një skllav të quajtur Onezimo. Ai u largua për në Romë pasi
kishte vjedhur pronarin e tij. Aty takon Palin, i cili e bën nxënës të Krishtit,
e pagëzon dhe e rikthen te pronari i tij me një letër rekomanduese, që Filemoni ta
pranojë si vëlla. Para Krishtit nuk ka pronarë, as skllevër, ekziston vetëm dashuria
e tij.
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filemonit
Shumë
i dashur, unë Pali, plak dhe tani edhe i burgosuri i Krishtit Jezus. Po të lutem për
birin tim, të cilin e linda në pranga, për Onezimin. Po ta dërgoj atë – loçkën e zemrës
sime. Desha ta ndal pranë meje që të më shërbejë në vend tënd këtu në burg, ku gjendem
për shkak të Ungjillit, por nuk desha të bëj asgjë pa pëlqimin tënd, që vepra e mirë
të cilën do ta bësh, të mos duket se e bëre përdhunë, por vullnetarisht. Ndoshta shi
për këtë arsye qe ndarë prej teje për pak kohë, që te ti të kthehej përgjithmonë,
jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, porsi vëlla i dashur, sidomos për mua
dhe aq më tepër për ty, qoftë si njeri dhe qoftë si vëlla në Zotin. Në qoftë se, pra,
më mban për shok në fe, pranoje porsi mua! Fjala e Zotit.
ALELUJA,
aleluja. Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, thotë Zoti, nuk
mund të jetë nxënësi im! Aleluja.
Ì Ungjilli Lk
14, 25-33
Jezusi me dy shëmbëlltyra të shkurtra, të kullës dhe të
luftës, na fton të llogarisim mundësitë tona me kujdes dhe guxim, për ta ndjekur nga
afër. Luka na tregon akoma se ardhja e Mbretërisë së Hyjit është në kundërshtim me
raporte të gabuara me njerëzit dhe gjërat materiale. Por ekziston
një rrezik tjetër i rëndë: ai i të hequrit dorë nga lidhjet dhe përgjegjësitë ndaj
të tjerëve me pretekstin e ardhjes së Mbretërisë së Hyjit.
Leximi
i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, një mori e madhe e popullit
po bënte rrugë me të. Jezusi u kthye kah ata dhe u tha: “Nëse ndokush vjen tek unë
e do më tepër babën, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, madje edhe jetën e
vet se mua, nuk mund të jetë nxënësi im. Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen
pas, nuk mund të jetë nxënësi im! Cili prej jush, nëse mendon të ndërtojë kullën,
nuk ulet më parë të llogarisë shpenzimet: a ka sa i duhen për ta kryer? Që, kur t’i
shtjerë themelet e të mos mund ta kryejë – të mos fillojë ta vërë në lojë gjithkush
ta shohë duke thënë: ‘Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta kryejë!’ Ose – cili
mbret, kur do të niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të pleqëroj
a është i zoti me dhjetë mijë ushtarë t’i dalë përballë atij, që i vjen me njëzet
mijë? Nëse nuk mundet, dërgon një delegacion derisa ai është ende larg e kërkon kushtet
për paqe. Kështu, pra, secili prej jush që nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk
mund të jetë nxënësi im.”Fjala e Zotit.
Më shumë mbi liturgjinë
e Fjalës së Zotit të dielës së 23-të mund të dëgjoni këtu.........