Nga Sheshi Shën Pjetrit në Vatikan lartohet lutja për paqen në Siri: fjalët e shpirtit,
për t'ua mbyllur grykën armëve
Një “ushtri” paqeje mblidhet ë Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për Ditën e lutjes
e të agjërimit së bashku me Papën Françesku, për paqen në Siri, në Lindjen e Mesme
e në botë. Thirrja e çarmatosur për paqen e fjalët e përvuajtura të miliona shpirtrave
në lutje, për t’i detyruar armët të heshtin e strategët e luftës t’i vënë gishtin
kokës. Kjo është arsyeja, për të cilën Papa Françesku mobilizoi krejt Kishën, duke
zgjuar ndërgjegjet e gjithë botës, edhe të atyre, që s’kanë të bëjnë aspak me katolicizmin.
Thirrja do të jetë ajo e Atit të Shenjtë në lutjen e fundit të Engjëllit të Tënzot,
që do të përsëritet në hapje të Mbrëmjes: “Të shpërthejë paqja; kurrë më luftë! Kurrë
më luftë!” Pastaj lutjet, me fjalët e përshpirtshme, që njeriu i përdor prej shekujsh
për t’i kërkuar Zotit të jetojë në paqe. Ashtu si vargjet e këngës së lashtë të fillimit,
“Venni Creator”, që në strofën e pestë, duket sikur i flet momentit: “ Na mbro o Zot
nga armiku, jepna dhuratën e paqes, udhëheqja Jote e pamposhtur na ruajttë nga e keqja”.
Pastaj, vendosja e ikonës së Zojës Salus Populi Romani e fjalët e Rruzares: 50 lutje
për t’ia besuar fatet e planetit Mbretëreshës së Paqes. Për këtë rast, Papa Françesku
ka vendosur që çdo Mister i Gëzimit të Rruzares të paraprihet nga fjalët e Shën Terezës
së Liziësë. Pas Rruzares, sytë e besimtarëve dhe telekamerat e të gjithë botës
do të drejtohen nga Ati i Shenjtë, i cili do të mbajë reflektimin e tij. Pastaj, në
elter, Hostja e shuguruar për adhurimin eukaristik, ndërsa lexohen pjesë nga Bibla
e lutje të Papëve të mëparshëm, për të udhëhequr reflektimin e brendshëm të secilit,
që shndërrohet në mesazh për të mëdhenjtë e kësaj toke, nëse dëgjojnë fjalët e Isaisë
profet: “Do t’i thyejnë shpatat e me to do të bëjnë parmenda”, “një komb nuk do ta
ngrejë më kurrë shpatën kundër një kombi tjetër, as do të mësojnë më artin e luftës”.
Pesë çifte nga Siria, Egjipti, Toka e Shenjtë, SHBA-të dhe Rusia ofrojnë kemin.
Çasti i parafundit i Mbrëmjes karakterizohet nga leximet: pjesë nga Jeremia profet,
nga Shën Leoni i Madh e nga Shën Gjoni Ungjilltar. Pastaj, zërat e sheshit heshtin
për gjysëm ore, deri në orën 22.40. Vetëm muzika do të mbushë Shën Pjetrin e rrethinat.
Akti i fundit, bekimi eukaristik i Papës Françesku. Ata që dëshirojnë të marrin pjesë,
i njoftojmë se mund të hyjnë në Shesh nesër, duke filluar nga ora 16.30. Lutja do
të fillojë në orën 19 e do të përfundojë në orën 23.