Papa Françesku: për çdo të krishterë, Jezusi ka një premtim e një mision
Kur vjen Zoti “kam frikë se kalon e nuk e kuptoj”: me këtë citim nga Shën Augustini,
Papa Françesku filloi homelinë e meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, në
Vatikan, gjatë së cilës reflektoi për mënyrat me të cilat duket Krishti në jetën e
të krishterit. Një premtim që ngushëllon, një kërkesë për bujari, një mision për
t’u plotësuar: këto janë, sipas Atit të Shenjtë, mënyrat me të cilat Krishti prek
e ndikon në jetën tonë. I dha shkas për këtë reflektim Ungjilli i sotëm, në të cilin
tregohet për peshkimin e mrekullueshëm – mënyrë, me të cilën Krishti u duket apostujve
të vet, Pjetrit, Jakobit e Gjonit, duke i premtuar Pjetrit të habitur se do ta bëjë
“peshkatar njerëzish”. Në këtë rast, Zoti kalon pranë apostujve përmes një mrekullie.
Jo gjithnjë ndodh kështu, tha Papa Françesku, por gjithnjë e ndjejmë Hyjin, që kalon
në jetën tonë: “Gjithmonë, kur Zoti vjen në jetën tonë, kur kalon në zemrën
tonë, na thotë një fjalë e një premtim: ‘Ec përpara… me guxim, mos ki frikë, sepse
ti do të bësh këtë, apo atë!’ Është ftesë për mision, për ta ndjekur. E kur e dëgjojmë
këtë ftesë, shohim se ka diçka në jetën tonë që s’shkon, që duhet ta ndreqim, dhe
e lëmë kështu mënjanë, me bujari. Ose, edhe kur ka ndonjë të mirë në jetën tonë, Zoti
mund të na frymëzojë ta lëmë, për ta ndjekur më nga afër”. E Hyji, vazhdoi
Papa, ua bën të qartë njerëzve edhe qëllimin, në një farë mënyre, ua shpjegon pse
i ka thirrur për ta ndjekur: “Jezusi nuk thotë kurrë ‘Më ndiq!’ pa shpjeguar
misionin. Jo. ‘Më ndiq e unë do të të bëj këtë apo atë’, “Më ndiq, për këtë arsye’,
‘Nëse do të jesh i përsosur, braktis gjithçka dhe më ndiq’. Gjithnjë mision…Shkojmë
pas Tij për të bërë diçka: është misioni”. Premtim, kërkesë, mision. Këto tri
çaste, tha në fund Papa, kanë të bëjnë jo vetëm me jetën e përditshme, por edhe me
lutjen. Lutja nuk është e tillë, pa fjalën e Jezusit, pa besimin, pa premtimin. Është
mirë t’i kërkojmë Jezusit të jemi gati të lëmë gjithçka për të shkuar pas Tij e për
t’u impenjuar në misionin, që Ai na cakton: “Është lutje e vërtetë e krishterë
kur dëgjojmë Zotin, me Fjalën e Tij të ngushëllimit, të paqes e të premtimit. Kur
kemi guximin të zhvishemi nga diçka, që na pengon ta ndjekim shpejt e të shkojmë në
mision. Kjo nuk do të thotë se nuk kemi më tundime. Kemi shumë, madje! Por, Pjetri
mëkatoi rëndë, e mohoi Jezusin, ama pastaj, Zoti e fali. Jakobi e Gjoni…mëkatuan për
karrierizëm, duke dashur të ngjiten më lart, por Zoti i fali”.