2013-09-05 14:49:33

Imzot Mambertì: të bëhen të gjitha përpjekjet për arritjen e paqes në Siri, bazuar mbi dialogun


Sot paradite, në Vatikan, u zhvillua një takim, gjatë të cilit, Sekretaria e Shtetit u shpjegoi ambasadorëve të vendeve të akredituara pranë Selisë së Shenjtë, domethënien e Ditës së lutjes e të agjërimit, kërkuar e planifikuar nga Papa Françesku për paqen në Siri, në Lindjen e Mesme e në botë. Kujtojmë se lutja do të mbahet në sheshin e Shën Pjetrit, të shtunën, 7 shtator, duke filluar nga ora 19.00 me pjesëmarrjen e të krishterëve, por edhe të besimtarëve të feve të tjera e jo besimtarëve, kudo në botë. Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Dominik Mambertì, kujtoi thirrjet e Papës Françesku, sidomos pas përdorimit të armëve kimike, që më 21 gusht, shkaktuan mëse njëmijë viktima, duke zgjuar dënimin e krejt botës së tmerruar nga ç’i shihnin sytë.
“Para fakteve të tilla – nënvizoi imzot Mambertì – nuk mund të heshtim e, Selia e Shenjtë shpreson që institucionet kompetente t’i sqarojnë këto fakte dhe përgjegjësit të dalin përpara drejtësisë”. Vetë Papa Bergolio, në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar, kujtoi se ekziston gjykimi i Zotit e gjykimi i historisë, para të cilit, përgjegjësit e kësaj masakre, duhet të japin llogari.
Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet bëri të vetën thirrjen e Papës e u kërkoi ambasadorëve të 71 vendeve të pranishëm të ndikojnë për të ndalur dhunën, e cila rrezikon të përfshijë edhe vende të tjera në rajon, por mund të ketë pasoja të paparashikueshme edhe për pjesën tjetër të botës. Ashtu si Ati i Shenjtë në letrën për takimin e G20-ës, imzot Mamberti nënvizoi nevojën për asistencën humanitare të popullsive në konflikt e për fillimin e dialogut për paqen.








All the contents on this site are copyrighted ©.