2013-09-04 12:14:10

Siri: Papa,“Të lartohet fuqishëm britma e paqes!”


“Të larohet fuqishëm në mbarë tokën britma e paqes!”. Këtë e kërkoi Papa Françesku në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme mbajtur paradite në Vatikan para mase 100 mijë shtegtarëve e besimtarëve të ardhur nga vende të ndryshme. “Të shtunën e ardhshme do të jetojmë e përjetojmë së bashku një ditë të veçantë lutjeje e agjërimi, për paqen në Siri e në mbarë botën, e edhe për paqen në zemra tona”.
“Përsëris – vazhdoi Papa Françesku – thirrjen drejtuar mbarë Kishës për të jetuar në mënyrë intensive këtë ditë e qysh tani, shpreh mirënjohjen time vëllezërve tjerë të krishterë, vëllezërve të feve tjera e burrave e grave vullnet mirë të cilët do të duan të bashkohen në këtë moment, nëpër vende e mënyra të ndryshme”. “ I nxis në mënyrë të veçantë besimtarët romakë e shtegtarët –përfundoi Papa Françesku – të marrin pjesë në mbrëmësoren e lutjes, këtu, në Sheshin e Shën Pjetrit nga ora 19.00 për t’iu lutur Zotit për dhuratën e madhe të paqes. Le të lartohen në mbarë tokën britma e paqes!”.
“Të dashur besimtarë të gjuhës arabe – tha akoma Papa Françesku duke përshëndetur grupet e ardhura nga Iraku, nga Jordania e nga Egjipti – bashkohuni gjithmonë me Krishtin duke ndërtuar Mbretërinë e Tij përmes vëllazërimit, përmes bashkëndarjes e veprave bamirëse”. “Feja – kujtoi Ati i Shenjtë Françesku – është një forcë e fuqishme për ta bërë botën më të drejtë e më të bukur!”- “Jini një prani e përdëllimit të Zotit dhe dëshmoni para botës se mundimet, provat, vuajtjet, vështirësitë, dhuna apo e keqja nuk do të mund ta mposhtin Atë që e mposhtur dhe mundur vdekjen: Jezu Krishtin. Të gjithë ju u jap Bekimin Apostolik!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.