2013-09-04 19:05:32

Në Prishtinë simpoziumi “Edikti i Milanos- Kostantini i Madh” e 10 vjetori i Lumturimit të Nënë Terezës


Nga data 4 deri më 5 shtator në Prishtinë mbahet simpoziumi “Edikti i Milanos- Kostantini i Madh”, i organizuar nga Kisha katolike e Kosovës, Instituti i Historisë, Instituti Albanologjik, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Instituti i Arkeologjisë.
Ky simpozium është organizuar me rastin e 1700-vjetorit të Ediktit të Milanos, një dokument i lëshuar nga Kostantini i Madh, i cili sundoi pjesën perëndimore të Perandorisë Romake, dhe Licinius, i cili sundoi Ballkanin. Ky dokument shënoi vendimin e Perandorisë Romake për të mbështetur lirinë fetare për të gjithë, duke i dhënë fund kështu persekutimit të të krishterëve.
Simpoziumi i mbështetur nga Ministria e Jashtme e Kosovës ka në program një ekspozitë të hartave historike që ofron një pasqyrë të kartografisë së vjetër, e cila lidhet me Kostantinin dhe Ediktin e Milanos.
Ekspozita është hapur nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Petrit Selimi. E veçanta e kësaj ngjarjeje është harta Tabula Militaris Itineraria, e njohur edhe si Tabula Picta, në të cilën shfaqen rrugët e vjetra në Perandorinë Romake në shekullin e IV-të.
Ekspozita në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, do të jetë e hapur nga 3 deri më 7 shtator 2013.
Don Lush Gjergji, Vikar i Përgjithshëm i Kishës katolike në Kosovë, tha: “Kjo ‘hartë’ tejet e rrallë në hartografinë e botës, shënon rrugët e ndryshme në Perandorinë Romake me tri qendra të njohura e të famshme të kohës së lashtë: Romën, Kostandinopojën e Antiokinë. Në këtë hartografi shënohet faza e kalimit nga paganizmi në fenë e krishterë, pas Ediktit të Milanos akti i Kostandinit i vitit 313, dhe është shtypur për herë të parë më 1793 në dymbëdhjetë folie më gjatësi 8 metra. Si dokument i rrallë i asaj periudhe historike është shumë i çmuar edhe për botën tonë iliro - shqiptare.“
Arben Arifi nga Instituti i Historisë së Prishtinës tha: “Një anë shumë pozitive ishte jeta e Konstandinit të Madh i cili perceptoi themelet e krishterimit si fe zyrtare të Perandorisë Romake. Ai në këtë mënyrë dramatike, befas ndryshoi ngjyrën e ujit të lumit të civilizimit perëndimor. Kjo ishte një nga transformimet më të fuqishme të historisë.”
Dita e dytë e simpoziumit u hap nga ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj. Po ashtu, historianë dhe ekspertë të shquar nga Italia, Kroacia, Shqipëria e Franca flasin mbi në një varg temash, duke përfshirë rëndësinë historike të Ediktit të Milanos dhe personalitetin, arritjet e trashëgiminë e Kostandinit të Madh.
Simpoziumi mbyllet nesër më 5 shtator me një vizitë në qytetin antik romak të Ulpianës dhe me Meshës solemne e cila do kremtohet në Kishën Katedrale të Prishtinës kushtuar së Lumes Nënë Terezë.







All the contents on this site are copyrighted ©.