2013-09-03 14:17:26

Papa: Jezusi nuk ka nevojë për ushtri, që të fitojë mbi të keqen. Forca e Tij është përvuajtëria


“Gjithmonë, ku është Jezusi është përvuajtëria, ëmbëlsia e dashuria”: kështu tha sot Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë vuri theksin në dallimin ndërmjet “dritës së qetë” të Jezusit, që i flet zemrës, dhe “dritës artificiale” të botës, që na bën mendjemëdhenj.
Identiteti i krishterë, nënvizoi Papa, ka të bëjë me dritën e jo me errësirën. Duke komentuar fjalët e Shën Palit Apostull për dishepujt e parë të Krishtit, të cilëve u thotë se janë bij të dritës e jo të errësirës, Ati i Shenjtë vuri në dukje se bota nuk e deshi këtë “Dritë”. Por është pikërisht drita, që Jezusi solli në botë, ajo që na shpëton nga mëkati, nga errësira. Shndritja e predikuar nga Krishtit është thellësisht e ndryshme nga shndritja, që mund të arrihet përmes shkencës e përparimit të njerëzimit, nënvizoi Papa Bergolio:
“Mund të njohim gjithçka, mund të bëjmë shkencë me çdo gjë e të hedhim dritë mbi të gjitha gjërat. Por drita e Jezusit është diçka tjetër. Nuk është drita e injorancës, jo! Është drita e dijes dhe e urtisë, por është krejt ndryshe nga drita e botës. Drita, që na jep bota, është artificiale, ndoshta e fortë – më e fortë se ajo e Jezusit, eh! – e fortë si fishekzjarret, si blici i aparatit fotografik. Ndërsa drita e Jezusit është e butë, e qetë, dritë e paqes, si drita e natës së Krishtlindjes: pa pretendime”.
Është dritë, që i ofrohet botës, tha më tej Papa Françesku, e na jep paqen. Nuk jep shfaqje, vjen nga zemra. Nganjëherë, paralajmëroi Ati i Shenjtë, djalli vishet si engjëll i dritës, i pëlqen ta imitojë Jezusin e luan rolin e të mirit: na flet qetësisht, ashtu siç foli Jezusi pas agjërimit në shkretëtirë. Ja përse duhet t’i lutemi Zotit të na japë mençurinë për t’i dalluar gjërat: kur është Jezusi, që na ofron dritën e kur është djalli vetë, i veshur si engjëll i dritës:
“Sa vetë besojnë se jetojnë në dritë e janë në errësirë, por nuk e kuptojnë. Si është drita, që na jep Jezusi? Dritën e Jezusit mund ta njohim, sepse është e përvuajtur, nuk imponohet: është e përvuajtur. Është dritë e butë, me forcën e butësisë. Është dritë, që i flet zemrës dhe është edhe dritë, që të jep Kryqin. Nëse ne, në shndritjen tonë të brendshme, ndjehemi njerëz të butë, e dëgjojmë zërin e Jezusit me zemër dhe e shohim pa frikë Kryqin: kjo është drita e Jezusit”.
Por nëse ndriçohesh nga një dritë, që të bën mendjemadh, këshilloi Ati i Shenjtë, një dritë, që të bën t’i shohësh të tjetër nga lart poshtë e t’i përbuzësh, ajo nuk është drita e Jezusit, por e djallit, i cili maskohet si engjëll i dritës. Drita e vërtetë, vazhdoi Papa Françesku, dallohet nga drita e gënjeshtërt, pasi aty ku është Jezusi është përvuajtëria, butësia, dashuria e Kryqi. Nuk mund të gjejmë kurrë një Krisht të ndryshëm nga ky, nënvizoi Ati i Shenjtë. Pa frikë, duhet të shkojmë pas Jezusit, i vetmi, në gjendje t’i dëbojë djajtë e shpirtrat e këqinj, siç thotë Ungjilli i sotëm:
“Jezusi nuk ka nevojë për ushtri për të përzënë djajtë, nuk ka nevojë për kryelartësinë, nuk ka nevojë për forcën, për mendjemadhësinë. ‘Ç’fjalë është kjo, që komandon me autoritet e pushtet shpirtrat e këqinj e ata ikin?’ Kjo është fjalë e përvuajtur, e butë, me shumë dashuri; është fjala që na shoqëron në momentin e Kryqit. T’i lutemi Zotit të na japë sot hirin e Dritës së vet e të na mësojë të dallojmë kur drita është Ai e kur është dritë artificiale, e prodhuar nga armiku për të na gënjyer”.







All the contents on this site are copyrighted ©.