Myftiu i madh i Sirisë dëshiron të lutet për paqe me Papën në Vatikan
Myftiu i Madh i Sirisë, Ahmad Badreddin Hassou, lideri shpirtëror i islamit në Siri,
e ka ndjerë thellësisht në zemër thirrjen e Papës Françeskut për paqen në Siri, shqiptuar
të dielën e kaluar gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, dhe ka shpreh dëshirën të
jetë i pranishëm në Shën Pjetër në Vatikan për mbrëmësoren e lutjes për paqen në Siri,
shpallur nga Papa Bergoglio për të shtunën e ardhshme më 7 shtator. Siç njofton agjencia
Fides, myftiu Hassou i ka dërguar një letër për këtë qëllim Nuncit Apostolik në Damask
imzot Mario Zenari. Fjalët e Sekretarit të Këshillit Papnor për “Drejtësi e Paqe”,
ipeshkvit imzot Toso mbi mundësinë e shpërthimit të një konflikti të ri botëror, shprehin
më së mirë shqetësimin e Vatikanit për atë që mund të ndodhi. Ndërkohë vazhdon përkrahja
dhe adezioni në këtë nismë të Papës për paqen në Siri. Edhe nëse, për shkaqe logjistike
apo për ndonjë arsye tjetër, dëshira e Myftiut të Sirisë nuk do të mund të realizohej,
Ahmad Badreddin Hassou tha se komuniteti i tij mysliman “ e pranon thirrjen, të cilën
Papa ia drejtoi të gjitha feve, për t’u lutur për paqen në Siri”. Myslimanët sunitë
janë ftuar të luten për paqen, më 7 shtator, në bashkim dhe në të njëjtën kohë me
Papën, në xhamitë e Damaskut e në mbarë territorin kombëtar sirian.