Me 3 shtator kalendari kujton Shën Gregorin e Madh, Papë
Me 3 shtator, Kisha kremton festën e Shën Gregorit të Madh, Papë. Ai ishte pranë nevojtarëve,
sepse qe bërë një me Hyjin. Sot me 3 shtator Kisha katolike kremton festën liturgjike
të Shën Gregorit të Madh, Papë e Doktor i Kishës. Shën Gregori romak e murg është
ndër papët më të mëdhenj në historinë e Kishës. Me largpamësi profetike, Gregori e
kuptoi se një qytetërim i ri po lindte nga takimi mes trashëgimisë romake dhe popujve
të ashtuquajtur “barbarë”, falë forcës së lidhjes e ngritjes së lartë morale të Krishterimit.
Shën Gregori i Madh ishte i jashtëzakonshëm, i madh në zellin apostolik e i përvujtë
në shërbim të Kishës, shërbëtor i shërbëtorëve të Hyji. Jeta e tij, që zgjati
nga viti 540 deri në vitin 604, qe e jashtëzakonshme: në moshën 30 vjeçare u bë prefekt
i Romës; murg më vonë; e më pas u zgjodh papë, pa dëshirën e vet. Ishte një papë që
bashkoi aftësinë administrative, të fituar si nëpunës perandorak, me stilin kundrues
e asketik të jetës oshënare. Papa Gregori i Madh shkruante kështu mes tjerash: “Jeta
e bariut të shpirtrave duhet të jetë sintezë e drejtpeshuar e kundrimit dhe e veprimit,
e frymëzuar nga dashuria, që prek majat e larta kur përkulet plot mëshirë mbi shqetësimet
e thella të të tjerëve. Aftësia për t’u përkulur para mjerimit të tjetrit, është masa
e forcës së sulmit drejt lartësisë”. (II,5) Në ndryshim nga perandori bizantin,
që mendonte se longobardët s’ishin tjetër, veçse një turmë me njerëz të pagdhendur
e grabitqarë, të cilët duheshin shpartalluar e shfarosur, Shën Gregori i shikonte
me sytë e bariut të mirë, që dëshiron t’ua kumtojë dhe atyre fjalën e shëlbimit, duke
lidhur me ta, marrëdhënie vëllazërore. Njihte thellësisht Shkrimin Shenjt, Biblën,
që vijonte ta lexonte me fe e përvujtëri, e me të njëjtën përvujtëri e fe ua shpjegonte
besimtarëve. Përvujtëria intelektuale është rregulli kryesor për atë, që kërkon të
depërtojë në realitetet e mbinatyrshme, duke u nisur nga Libri i Shenjtë, Bibla. Përvujtëria
nuk e përjashton studimin serioz, por është e domosdoshme, në se duam që ky studim
të jetë shpirtërisht i frytshëm, duke i krijuar studiuesit mundësinë të hyjë në thellësi
të teksteve. Vetëm kështu mund të dëgjohet e të perceptohet me të vërtetë zëri i Zotit.
Nga ana tjetër, kur kujtojmë Fjalën e Hyjit, duhet të kemi parasysh se nuk mjafton
ta kuptosh, në se kuptimi i saj nuk të nxit edhe të veprosh. Shën Gregori i Madh
zhvilloi një veprimtari të dendur baritore e civile, reformoi muzikën liturgjike e
cila, nga emri i tij, u quajt këngë ‘gregoriane’. Pati në qendër të vëmendjes të varfërit.
“Ishte njeri që qe bërë një me Zotin. Kishte etje të pashuar për praninë e Hyjit,
të cilin e ndjente deri në thellësi të shpirtit. E pikërisht për këtë arsye, ishte
gjithnjë pranë njeriut, pranë të gjithë nevojtarëve të kohës së vet. Në këtë kohë
tepër të vështirë, madje të dëshpëruar, Shën Gregori i Madh diti të sjellë paqe e
të japë shpresë. Ky njeri i Hyjit na tregon se ku mund të gjinden burimet e vërteta
të paqes, na mëson prej nga vjen shpresa e vërtetë, prandaj mund të themi me plot
bindje se edhe sot e kësaj dite mbetet prijës për ne”, tha Papa Benedikti XVI në
audiencën e përgjithshme të 28 majit të vitit 2008.