2013-09-03 15:01:14

Imzot Tozo: sulmi në Siri do të shkaktonte luftë me përmasa botërore


Gjithnjë e më shumë njerëz, shoqata, organizata, institucione e urdhëra fetare vazhdojnë të deklarojnë se do të marrin pjesë në Ditën e lutjes e të agjërimit, shpallur nga Papa Françesku më 7 shtator, për t’i kërkuar Hyjit të Gjithpushtetshëm paqen në Siri e në botë. Duke u nisur nga thirrja e Atit të Shenjtë në Engjëllin e Tënzot të së dielës, ftuam për një reflektim në mikrofonin tonë sekretarin e Këshillit Papnor “Drejtësi e Paqe”, imzot Mario Tozo. Ta dëgjojmë:
Papa interpreton thirrjen, që ngrihet nga çdo anë, nga zemrat e secilit, nga familja e madhe, që është njerëzimi. Është një gufim universal i ndërgjegjes së njerëzve, të popujve. Shoqëritë civile dhe organizatat e tyre kërkojnë t’i jepet fund luftës e nga ana tjetër, të punohet për paqen, me bindje e intensivisht. Papa Françesku vazhdon misionin e Jezu Krishtit, Princit të paqes, që ecën me njerëzimin dhe si një farë e mirë e hedhur në ndërgjegje, e shtyn drejt plotësimit të fatit të tij përfundimtar.
“Lufta thërret luftën”, tha Papa. Shumë zëra në Kishë ngrihen për të shprehur frikën se një sulm i mundshëm kundër Sirisë do të përhapte dhunën në të gjithë rajonin. Si mendoni ju?
Në Engjëllin e Tënzot të 1 shtatorit dënohet me vendosmëri një luftë, në të cilën përdoren armë pa dallim, duke goditur kryesisht popullsinë civile e të pambrojtur. Përdorimi i dhunës nuk sjell kurrë paqen. Lufta thërret luftën edhe sepse i zë popujt në kurthin e një spiraleje vdekjeprurëse: mbart në vetvete një këndvështrim të shtrembëruar të pushtetit, i cili kuptohet si abuzim e mbizotërim e, përveç kësaj, e thekson paragjykimin se njeriu për njeriun është ujk. Me premisa të tilla, “tjetri” mbetet gjithmonë kundërshtar, armik për t’u mundur, nuk do të bëhet kurrë vëlla. Lufta nuk mbaron kurrë e arsyet e drejtësisë shpërfillen.
I Lumi Gjon Pali II e pati quajtur luftën në Irak “aventurë pa kthim mbrapa”. Këtu ka rrezik të bëhet një gabim tjetër i pafalshëm, apo jo?
Siç la të kuptohet Papa Françesku, duhet të jemi në ankth për zhvillimet dramatike që po përvijohen, sipas lëvizjeve të të mëdhenjve të tokës. Udha e zgjidhjes së problemeve të Sirisë nuk mund të jetë ajo e ndërhyrjes së armatosur. Dhuna nuk do të pakësohej. Madje, ekziston rreziku të përhapet e të shtrihet në vende të tjera. Konflikti në Siri përmban të gjitha elementet për të shpërthyer në një luftë me përmasa botërore e gjithsesi, askush s’mund të dalë i paprekur nga një përvojë e tillë dhune. Alternativa nuk mund të jetë tjetër, veçse arsyetimi, iniciativa të bazuara mbi dialogun e bisedimet. Pra, duhet ndryshuar rrugë. Duhet ndërmarrë pa vonesë udha e takimit dhe e dialogut, e cila është e mundur vetëm mbi bazën e respektit e të dashurisë së ndërsjelltë. Pushtetin ideologjik të dhunës, që e asgjëson kundërshtarin, duhet ta zëvendësojmë me pushtetin e dashurisë, e cila na nxit të kujdesemi për çdo gjë të përbashkët. Pushteti i vërtetë është dashuria, e cila nënkupton pasionin për të mirën e të tjerëve, siç thotë vazhdimisht Papa Françesku. Dashuria i fuqizon të tjerët, nxit nisma bashkëpunimi për drejtësinë e paqen.
Papa u bëri thirrje besimtarëve të të gjitha feve dhe jo besimtarëve të mblidhen në Shën Pjetër, më 7 shtator, Ditën e lutjes për paqen në Siri e në botë. Kjo nismë të kujton horizontin universal të enciklikës “Pacem in Terris” të Papës Gjoni XXIII…
Të kujton edhe “frymën e Asizit”, atë që u provua në muajin e tetorit 2011 rreth Papës Benedikti XVI, i cili vazhdoi ditët e menduara nga Gjon Pali II. Kemi nevojë për “shenja paqeje”, të cilat i bindin njerëzit më shumë se fjalimet e bukura. Kemi nevojë të jemi shtegtarë të së vërtetës, shtegtarë të paqes. Arritja e paqes varet nga kërkimi i apasionuar i së vërtetës mbi njeriun, mbi botën e mbi Zotin. Varet, në veçanti, nga bashkimi me Të, nga lutja që shndërrohet në vepra drejtësie.







All the contents on this site are copyrighted ©.