2013-09-02 17:13:28

Siri: L’Osservatore Romano, të shqyrtohen fjalët e Papës


“Përgjegjësit e kombeve e kanë për detyrë të reflektojnë mbi fjalët e fuqishme që tha Papa Françesku” i cili dje evokoi “gjyqin e Zotit e edhe gjyqin e historisë të cilit nuk mund t’i ikim!”. Kështu shkruan sot e përditshmja e Selisë së Shenjtë l’Osservatore Romano në një editorial të drejtorit të saj, profesor Giovanni Maria Vian, i cili kujton edhe “dhjetëra mijëra viktimat, sidomos civilë” e “flukset e mëdha e përherë në rritje të refugjatëve të dëshpëruar”, por edhe tërheq vëmendjen mbi “pasojat e paparashikueshme” të një ndërhyrje ushtarake të mundshme.
“Për këtë arsye – shpjegon Vian – edhe një herë zëri i ipeshkvit të Romës, që tha se është thellësisht i prekur në zemër për atë që po ndodhë e sidomos për zhvillimet dramatike që po paraqiten, lartohet me forcë për të dënuar përdorimin e armëve, e me vendosmëri të veçantë përdorimin e atyre kimike”.
Krejt fjalimin e tij, nënvizon profesor Vian në editorialin e tij, “Papa ia kushtoi situatës ndërkombëtare, një skenari ku prej shumë kohësh e pa pushim janë shumëfishuar konfliktet, e edhe këto javë përherë e më tepër janë karakterizuar nga një rritje e egër dhe e pamëshirshme e tragjedisë siriane”. “Prandaj, në një kontekst shqetësues e me zhvillime të paparashikueshme, Papa Françesku – përfundon drejtori i Osservatore Romano-s – përsërit se është e domosdoshme e urgjente të braktiset kultura e ndeshjes dhe e konfliktit: sepse kultura e takimit dhe e dialogut është ndërtimi i bashkëjetesës në popuj e ndërmjet popujve; kjo është rruga e vetme për paqe, të cilën Selia e Shenjtë e tregon e nëpër të cilën diplomacia e saj është duke vepruar me çdo instrument të mundshëm”.







All the contents on this site are copyrighted ©.