2013-09-02 14:34:49

Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot: kurrë më luftë! 7 shtatori, ditë lutjeje e agjërimi për paqen në Siri e në botë


Thirrje e zjarrtë e Papës në Lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot për paqen në Siri, në Lindjen e Mesme e në botën mbarë. Ati i Shenjtë, Françesku, tha se ndjehet thellësisht i vrarë në shpirt për ç’po ndodh, prandaj vendosi të shpallë një Ditë lutje e agjërimi për paqen. Papa u kërkoi besimtarëve të mblidhen më 7 shtator, pra, të shtunën, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, nga ora 19 deri në mesnatë, për një mbrëmje lutjeje, me një ftesë, që vlen edhe për besimtarët e feve të tjera e madje edhe për jo besimtarët:
“Kurrë më luftë! Kurrë më luftë! Paqja është dhuratë tepër e çmuar, që duhet promovuar e mbrojtur”.
Me ankth gjithnjë në rritje, vazhdoi Papa, thirrja për paqen ngrihet nga çdo anë e Tokës, nga çdo popull, nga zemra e secilit, nga e familja e vetme dhe e madhe, që është njerëzimi:
“Jetoj me vuajtje e shqetësim të veçantë të gjitha situatat e konfliktit, që ekzistojnë në këtë Tokën tonë, por këtyre ditëve, zemra ime është vrarë thellësisht nga ç’po ndodh në Siri, është në ankth për zhvillimet dramatike, që na presin në të ardhmen”.
Ky shkatërrim i paparë, kjo dhimbje, nënvizoi më tej Papa Françesku, është sjellë në atë vend nga përdorimi i armëve. E këtu, Ati i Shenjtë nuk mungoi të kritikojë e të dënojë tragjedinë e armëve kimike:
“Me vendosmëri të veçantë dënoj përdorimin e armëve kimike”.
Të mendojmë sa fëmijë nuk mund ta shohin më dritën e diellit, ngriti zërin Ati i Shenjtë:
“Për të gjitha veprimet tona, ekziston gjykimi i Zotit e gjykimi i historisë, të cilit nuk mund t’i shpëtojmë!”
Dhuna nuk sjell kurrë paqen, vazhdoi Papa Françesku e pastaj, paralajmëroi:
“Lufta thërret luftën, dhuna thërret dhunën! Me gjithë forcën që kam, u kërkoj palëve në konflikt ta dëgjojnë zërin e ndërgjegjes, të mos mendojnë vetëm për interesat e tyre, por ta shohin tjetrin si vëlla e të ndërmarrin, me guxim e vendosmëri, udhën e takimeve e të bisedimeve, duke kapërcyer kundërshtitë e verbëra”.
Më pas, Ati i Shenjtë i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare, që të bëjë çdo përpjekje, të promovojë pa vonesë çdo iniciativë për paqen, bazuar mbi dialogun, për të mirën e krejt popullsisë siriane:
“Të mos kursehet asnjë përpjekje për të garantuar asistencën humanitare për të dëmtuarit nga ky konflikt i tmerrshëm, veçanërisht për të shpërngulurit brenda vendit e për refugjatët e shumtë në vendet fqinje”.
Papa Françesku pyeti: ç’mund të bëjmë ne për paqen në botë? Paqja, kujtoi, është pasuri, që nuk njeh kufi, sepse i përket gjithë njerëzimit:
“E përsëris me zë të lartë: nuk është kultura e ndeshjes, kultura e konfliktit, ajo që krijon bashkëjetesë ndërmjet popujve, por kultura e takimit, kultura e dialogut – kjo është udha e vetme për paqen. Thirrja për paqen të ngrihet lart, që të arrijë në zemrat e të gjithëve e të gjithë të ulin armët e të udhëhiqen nga etja për paqen”.
Për këtë, Papa Françesku i ftoi të gjithë katolikët, besimtarët e feve të tjera dhe jo besimtarët të marrin pjesë në Ditën e lutjes e të agjërimit për paqen në Siri, në Lindjen e Mesme e në botën mbarë:
“Më 7 shtator, në Sheshin e Shën Pjetrit, këtu, nga ora 19 deri në orën 24, do të mblidhemi në lutje e në pendesë, për t’i kërkuar Zotit këtë dhuratë të madhe për kombin e dashur sirian e për të gjitha situatat e konfliktit e të dhunës në botë. Njerëzimi ka nevojë të shohë gjeste paqeje e të dëgjojë fjalë shprese e paqeje”.
Pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi dy dëshmitarë shembullorë të Ungjillit, siç i quajti: ipeshkvin martir rumun, me origjinë shqiptare, imzot Vladimir Gjika, shpallur i lum në Bukuresht, ditën e shtunë, si edhe ipeshkvin italian Antonio Franko, i cili u shpall i lum sot në Mesinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.