Papa do të presë në audiencë Katolikosin e Kishës ortodokse siro-malankareze
Më 5 shtator, Katolikosi i Kishës ortodokse siro-malankareze me bazë në Indi, Moran
Baselios Marthoma Paulose II do të vijë për vizitë në Vatikan, ku do të pritet nga
Papa Françesku. Vizita është pjesë e takimeve, që do të mbajë Katolikosi me besimtarët
e këtij riti në Evropë. Pas Papës, ai do të lutet para Varrit të Shën Pjetrit Apostull
dhe do të ketë një takim në Këshillin Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve. Kisha
ortodokse malankareze ndahet në dy bashkësi: Kisha siro-ortodokse malankareze, që
varet nga Patriku siro-ortodoks i Antiokisë dhe, Kisha ortodokse siro-malankareze,
autonome, që kryesohet nga Moran Baselios Marthoma Paulose II. Sot, kjo Kishë ka rreth
2.5 milion besimtarë, të shpërndarë në 30 dioqeza, në të cilat shërbejnë 33 ipeshkvij
e mëse 1700 meshtarë. Mbahet mend e pati rëndësi të madhe takimi i të Lumit Gjon
Pali II me Katolikosin Moran Mar Baselios Marthoma Mathews I, në vitin 1983 në Romë
e, në vitin 1986 në Indi. Në atë rast, u themelua Komisioni i përzier ndërkombëtar
për dialogun ndërmjet dy Kishave. Fryt i rëndësishëm i punës së tij, është pa dyshim
Deklarata kristologjike e përbashkët, nënshkruar në vitin 1990. Që nga viti 1989,
Kisha Katolike bën takime të përvitshme në Kerala të Indisë, si me Kishën siro-ortodokse
malankareze, ashtu edhe me Kishën ortodokse siro-malankareze. Dialogu ka të bëjë me
historinë e Kishës në Indi, me ekleziologjinë dhe me dëshminë e përbashkët të krishterë.