2013-09-02 14:13:40

Imzot Parolin: Diplomacia e Vatikanit në shërbim të paqes në botë


Diplomacia e Vatikanit në shërbim të paqes në botë. Mbi këtë argument, më 11 janar 2008, u shpreh në një intervistë dhënë Radio Vatikanit, imzot Parolin, asokohe zëvendës-sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me Shtetet, sot Sekretar i ri i Shtetit të Vatikanit, emëruar të shtunën e kaluar nga Papa Françesku. Çështja e paqes në botës, në njërën anë sot paraqitet në domethënien dhe vlerën aq të domosdoshme, e në anën tjetër rrezikon të nëpërkëmbët e të asgjësohet, në dëme të popujve e kombeve të botës.
Mbi vlerën e paqes, në kuadrin e një seminari që asokohe organizohej çdo javë në Radion e Vatikanit lidhur me misionin e emitentes sonë për përhapjen e mësimeve të Papës Benediktit XVI në kulturat bashkëkohore, në Selinë e Radio Vatikanit pranë Pallatit Pio, foli zëvendës-sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me Shtetet, imzot Pietro Parolin.
Duke trajtuar temën ‘politika ndërkombëtare në Radion e Vatikanit dhe kërkesat e Selisë Apostolike’, prelati Parolin kujtoi fjalët ‘diplomacia është arti i shpresës’, theksuar nga Papa gjatë takimit të së hënës së kaluar me Trupin Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë. E diplomatët vatikanas e dinë se kjo shpresë ka një emër, sepse është diplomaci e meshtarëve. E pyetëm, prandaj, imzotin Parolin, si lindi konkretisht kjo strukturë e si e çon përpara Vatikani politikën ndërkombëtare:

Përgjigje: - Siç duket, diplomacia e Selisë së Shenjtë ka lindur nga historia, gjë që do të thotë se Selia e Shenjtë, që në zanafillë, ka gëzuar personalitet juridik ndërkombëtar. Prej këndej, mund të zhvillojë edhe të gjitha ato veprimtari që janë tipike për subjektet ndërkombëtare, dmth për shtetet. Ka edhe mundësinë të dërgojë ambasadorë e të pranojë ambasadorë. Do të thosha se është një mjet, që i shërben Selisë së Shenjtë si qeveri qëndrore e Kishës katolike, për zhvillimin e misionit të saj.

Pyetje: - Vijmë tek fjalimi i Papës drejtuar pak ditë më parë Trupit
Diplomatik…

Përgjigje: - Ati i Shenjtë, në fjalimin e tij drejtuar Trupit Diplomatik, kërkon të hyjë në situatat e vështira, ose në krizat e botës. Në këtë fjalim kujton shumë situata të tilla, që shqetësojnë e trondisin mbarë bashkësinë ndërkombëtare. Besoj se është një fill i kuq që i lidh këto fjalime, e ky fill është shqetësimi për mbrojtjen dhe promovimin e dinjitetit të njeriut, dinjitet i bazuar mbi përmasën e mbinatyrshme të njerëzve, një aspekt tjetër ky, që tregon se Selia e Shenjtë ka vizion të gjithanshëm mbi njeriun; vizion që nuk kufizohet vetëm në një përmasë të vetme, në atë fizike, materiale, ekonomike, por e shikon njeriun në tërësinë e tij e mbi këtë tërësi Selia e Shenjtë ngul këmbë gjithnjë. Prandaj mund të themi se tema e mbrojtjes së dinjitetit të njeriut, e mbrojtjes së të drejtave të tij, fillon nga e drejta për jetën, nga çasti i zënies, deri në vdekjen e natyrshme e deri tek mbrojtja e lirisë së tij. Natyrisht, një aspekt tjetër është ai i edukimit me frymën e paqes, paqes së kuptuar si tërësi e kushteve që i krijojnë njeriut mundësitë të zhvillohet si njeri e si bir i Hyjit e të krijojë rreth vetes marrëdhënie të qeta e të frytshme me të tjerët.

Pyetje: - Na duket e arsyeshme të përfundojmë me fjalët e Benediktit XVI ‘diplomacia është art i shpresës” ….

Përgjigje: - Art i shpresës, sepse art i shpresës do të thotë që ekziston mundësia të zgjidhen në mënyrë paqësore vështirësitë dhe konfliktet që vërehen në botë. E ky është mesazhi i madh i diplomacisë. Kemi shumë e shumë shembuj, shumë situata, që mund të mos jenë gjithnjë në lartësinë e asaj që pritej, por në të cilat shpresa na ndihmon të ecim përpara; e atëherë kur nuk shihen menjëherë rezultatet, duhet të punojmë me afate të gjata e – rikutjoj se diplomacia e Vatikanit është diplomaci e meshtarëve - gjithnjë me ndihmën e Zotit, duke e ditur se hiri i Hyjit i bën të frytshme të gjitha përpjekjet e mëdha apo të vogla në këtë drejtim.







All the contents on this site are copyrighted ©.