2013-08-31 15:33:39

Rubrika “Te gurra e besimit”: “Mendjemadhësia’ e arsyes”


Në emisionin XXI të rubrikës “Te gurra e besimit”, krenaria e tepruar e arsyes, bazuar mbi zhvillimet e reja të shkencës. Kohët e fundit globalizimi, përmes teknologjive të reja të informacionit, ka pasur, përherë më shpesh, prirjen t’i përhapë në të gjitha kulturat elementet materialistike e individualistike të Perëndimit. Përherë e më shumë formula “etsi Deus non daretur - sikur Zoti të mos ekzistonte”, u bë mënyrë e të jetuarit, me zanafillë nga një lloj ‘krenarie e tepruar’ e arsyes, që harroi se u krijua e u dëshirua nga Zoti dhe, duke besuar se i mjafton vetvetes, ia mbylli portën kundrimit e kërkimit të një të Vërtete më lartë se ajo vetë. Për iluminizmin, Drita e arsyes, e ngritur në qiell, ndonëse në realitet tejet e varfëruar, zëvendësoi plotësisht dritën e fesë, dritën e Hyjit. Nuk mund ta fshehim se sot vërtetohet një kalim nga mendimi kryesisht spekulativ, në atë eksperimental. Kërkimi shkencor lidhet sidomos me natyrën, në përpjekjen për të hyrë në sekretet e saj. Por dëshira për ta njohur natyrën, u shndërrua, pastaj, në dëshirë për ta riprodhuar. Ky ndryshim nuk u bë pa dhimbje: zhvillimi i koncepteve cënoi lidhjen ndërmjet fides e ratio, fesë e arsyes që, si pasojë, nisën të ecin në rrugë të ndryshme. Fitoret shkencore e teknologjike, me të cilat fides-feja, nxitet gjithnjë më shumë të ballafaqohet, e modifikuan konceptin e vjetër të ratio-arsyes; në një farë mënyre, e lanë pas dore arsyen, që kërkonte të vërtetën e fundme të gjërave, për t’i krijuar hapësirë një arsyeje, me synim zbulimin e të vërtetave, që përmbajnë ligjet e natyrës. Kërkimi shkencor ka, pa dyshim, vlerën e vet pozitive. Zbulimet dhe zhvillimi i vrullshëm i shkencave matematike, fizike, kimike dhe i shkencave të aplikuara, në përgjithësi, është fryt i arsyes dhe shprehje e inteligjencës, me të cilën njeriu arrin të depërtojë deri në thellësitë e panjohura të krijimit. Feja, nga ana e saj, nuk e ka frikë progresin e shkencës, as zhvillimet drejt të cilave çojnë fitoret e kërkimit shkencor, kur i shërbejnë njeriut, mirëqenies dhe përparimit të mbarë njerëzimit. Siç kujtonte autori i panjohur i Letrës Diognetit: “Nuk është lënda e shkencës, ajo që vret, por mosbindja. Nuk ka jetë pa shkencë, e as shkencë të sigurt, pa jetë të vërtetë” (XII,2.4).
Vërejmë se shkencëtarët nuk i drejtojnë gjithnjë kërkimet e tyre kah këta synime. Fitimi i lehtë ose, edhe më keq akoma, arroganca për t’i zënë vendin vetë Krijuesit, luajnë nganjëherë rol vendimtar. E kjo është forma hybris (mburracake) e arsyes, që mund të bëhet e rrezikshme për vetë njerëzimin. Pastaj duhet pranuar se shkenca nuk është në gjendje të hartojë parime etike; mundet vetëm t’i pranojë e t’i njohë si të nevojshme për të zhdukur patologjitë e saj. Në këto rrethana, filozofia dhe teologjia janë ndihmë e domosdoshme për shkencën, që të mos ecë e vetme në shtigje të thepisura, plot me të papritura e rreziqe. E kjo nuk do të thotë aspak ta kufizosh ose ta pengosh teknikën për të prodhuar mjete zhvillimi. Do të thotë vetëm ta mbash zgjuar ndjenjën e përgjegjësisë, si të arsyes, ashtu edhe të fesë, përballë shkencës, që të ecë gjithnjë në hullinë e shërbimit ndaj njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.