2013-08-31 12:44:25

Papa emëron imzot Pietro Parolin Sekretar të ri të Shtetit të Vatikanit


Ati i Shenjtë Françesku ka pranuar, sipas Kan. 354 të Kodit të së Drejtës Kanonike të Kishës, dorëheqjen e Kardinalin Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit, të cilit i ka kërkuar të mbetët në detyrë deri më 15 tetor 2013, me të gjitha autorizimet e pushtetit që ka zyra e tillë. Në të njëjtën kohë Ati i Shenjtë ka emëruar Imzot Pietro Parolin, Nunc Apostolik në Venezuelë, si Sekretar të ri të Shtetit. Ai do të marrë detyrën në postin e ri më 15 tetor 2013.
Me atë rast, Papa Françesku do të ketë një Audiencë me Eprorët dhe Zyrtarët e Sekretarisë së Shtetit, për të falënderuar publikisht kard. Bertone për shërbimin e tij besnik e bujar pranë Selisë së Shenjtë dhe për të prezantuar Sekretarin e ri të Shtetit.

Papa pastaj ka konfirmuar në zyrat përkatëse Imzot Giovani Angelo Becciu, Zëvendës për Çështje të Përgjithshme; Imzot Dominique Mamberti, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet; Mons. Georg Ganswein, Prefekt të Prefekturës së Shtëpisë Papnore; Imzot Peter Wells, Ndihmës për Çështje të Përgjithshme; Imzot Antoine Camilleri, Zëvendës-Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.

Sekretari ri i Shtetit të Vatikanit e Selisë së Shenjtë, imzot Parolin ka lindur në Schiavon në provincën e Vinçencës (Itali) më 17 janar 58 vjet më parë. Në moshën 10 vjeçare mbeti jetimë prej babe. Në moshën 25 vjeç shugurohet meshtar e bëhet zëvendës-famullitar në bashkësinë kishtare të Shenjtueshmës Trini në Schio. Në vitin 1983, hyri në Akademinë Kishtare Papnore. Fillon shërbimin diplomatik pranë Selisë së Shenjtë, e punon në nunciaturën apostolike të Nigerisë e të Meksikos. Pastaj kthehet në Romë ku në vitin 2001 emërohet zëvendës-sekretar i Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet, duke u marrë në mënyrë të veçantë me marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Vendeve aziatike, posaçërisht me Vietnamin e Kinën, si dhe duke ofruar një kontribut themelor në aderimin e Vatikanit në Traktatin e jo përhapjes së armëve bërthamore. Gjithnjë në periudhën e kësaj përgjegjësie pranë Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Parolin u njoh nga afër edhe me realitetin e Kishës ndër shqiptarë si në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e vende tjera.
Në vitin 2009 emërohet nunc apostolik në Venezuelë. Më 12 shtator 2009 në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, shugurohet ipeshkëv nga Papa Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.