2013-08-31 15:33:30

Në Bukuresht, Lumturimi i atë Vladimir Gjikës, me gjak shqiptar, martir i diktaturës komuniste në Rumani


Me 31 gusht 2013, në Bukuresht, në pavionin qëndror të Romexpo, në orën 11.00, u kremtua një Meshë solemne me ritin e lumnimit të imzot Vladimir Gjikës. Më pas u nderuan edhe reliket e të Lumit të ri, Meshtar e Martir. Kremtimin e kryesoi i dërguari i Papës Françesku, kardinali Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.
Atë Gjika u arrestua në vitin 1952, vetëm e vetëm pse nuk pranoi t’i shkëpuste lidhjet e Kishës katolike në Rumani me Selinë Apostolike. Pastaj, erdhi burgimi i gjatë e i mundimshëm. Pas një vit vuajtjesh e torturash, vdiq si martir në burgun e Zhilavës, pranë Bukureshtit, më 16 maj 1954.
Për këtë Lumnim, që lidhet drejtpërdrejt me Kombin shqiptar, sepse i Lumi i ri me gjak ishte shqiptar, pyetëm kardinalin Anxhelo Amato:

Pyetje: - Hirësi, a mund të na thoni diçka për këtë të Lum të ri, që i përket sa Rumanisë, aq edhe Shqipërisë...

Përgjigje: - Nga familje fisnike, me origjinë shqiptare, Vladimir Gjika i përdori talentet e shumta, që i kishte dhuruar natyra e hiri i Zotit, gjithnjë në shërbim të të varfërve. I kthyer në vitin 1902 në fenë katolike e i shuguruar meshtar në Paris, më 7 tetor 1923, në moshën 50-vjeçare nisi apostullimin e përkushtuar në shërbim të më të vegjëlve, më të varfërve. Në vitin 1939 vendosi të mbetej në Rumani, për të përballuar nevojat e refugjatëve polakë, pas pushtimit nazist të Polonisë.
Besnik ndaj teologjisë së tij të nevojës (théologie du besoin) ai ndihmoi me të gjitha forcat të sëmurët, të plagosurit e robërit e luftës. E vijoi këtë udhë edhe më 1948 kur, pas abdikimit dhe largimit të mbretit Mikel, regjimi komunist nisi sulmin sistematik kundër katolikëve, me synim, asgjësimin e tyre.

Pyetje: - Ç’mund të na thoni për martirizimin e tij?

Përgjigje: - Imzot Gjika, më 18 nëntor 1952, u burgos në Zhilavë, një nga kampet më të tmerrshme të shfarosjens në Rumani. Dinjiteti, falja e persekutuesve, ndihma shpirtërore ndaj të burgosurve, që vuanin përkrah tij, jeta e thellë e lutjes, e bënë shembull tepër të lartë dëshmie ungjillore. Më 16 maj 1954 u shua, pas torturave mizore në kthetrat e sigurimit të shtetit. Njeri me përshpirtëri të thellë, ithtar i ekumenizmit, dëshira më e madhe tij ishte ta shikonte të bashkuar Kishën Katolike me atë Ortodokse.

Pyetje: - Çfarë rëndësie ka Lumnimi i Vladimir Gjikës?

Përgjgje: - Janë tre, mesazhet e tij. I pari, dëshira ekumenike. Ëndërronte unitetin e Kishës. Propozonte shenjtërinë, si mjet i domosdoshëm për të çuar përpara bashkimin e të krishterëve. Në martirizimin e miliona të krishterëve ortodoksë të persekutuar posaçërisht në Rusi e në Evropën e Lindjes nga regjimet komuniste, shikonte garancinë e një rilindjeje të vërtetë që, në logjikën e misterit të Pashkëve, duhet të sillte bashkimin e dëshiruar.
Aspekti i dytë ka të bëjë me impenjimin konkret të dhimbsurisë ndaj refugjatëve, të plagosurve të luftës, të sëmurëve, të cilët i mirëpriti, i vizitoi, i ndihmoi.
Aspetki i tretë lidhet me dëshminë e tij të martirizmit, nën regjimin çnjerëzor të stalinizmit. U detyrua t’i nënshtrohej hetimeve torturuese, ditë-natë, shoqëruar me rrahje pa pikë mëshire, aq sa t’i rrezikohej dëgjimi e shikimi, e me tipe të ndryshme varjesh. I duroi të gjitha me fe e guxim e, sidomos, me ndihmën e lutjes.

Pyetje: - Si duhet shikuar ky Lumnim?

Përgjigje: - Lumnimi i sotëm duhet parë si shenjë profetike pajtimi e paqeje, si kujtim i një të kaluare të trishtuar, që nuk duhet të përsëritet në asnjë mënyrë, e si impenjim për të ndërtuar ardhmërinë plot shpresë, bashkim vëllazëror, liri e gëzim.








All the contents on this site are copyrighted ©.