2013-08-31 15:33:54

Dy fjalë për jetëshkrimin e të Lumit Vladimir Gjika


Ishte shqiptar, i lindur në Stamboll të Turqisë, më 25 dhjetor 1873 e martir në Bukuresht të Rumanisë, më 16 maj 1954.
Familja e tij, e mirënjohur në Shqipëri, me origjinë nga Përmeti, u largua në vitet 1500-1600, për t’u vendosur në lagjen Fanar të Kostandinopojës. Gjatë sundimit të perandorisë osmane, të ndihmuar nga pashallarë shqiptarë në oborrin e Sulltanit, anëtarët e kësaj familjeje qeverisën si princa Moldavinë dhe Vllahinë për vite me radhë. E duhet kujtuar se i dhanë botës edhe njerëz të shquar të kulturës, si Elena Gjikën (Dora d’Istria). Nga kjo familje rrjedh edhe imzot Vladimir Gjika, i cili lindi si princ ortodoks, për t’u shuguruar meshtar katolik në moshën 50-vjeçare. Mori pjesë aktive në jetën shoqërore e politike të Rumanisë gjatë Luftës I Botërore e punoi shumë për bashkimin e vendit, në Paris, Romë e Vatikan, si delegat i Këshillit Kombëtar Rumun. Pas vitit 1923, kur u shugurua meshtar, Vladimir Gjika u dërgua nga Kisha Katolike në Sidnej të Australisë, në Budapest, në Dublin e Buénos-Ájres, ku mori pjesë në kongrese eukaristike ndërkombëtare. Gjithashtu, ndërmori misione kishtare në Japoni, Kinë e në Cejlon. Bekonte gjithnjë me një nga gjembat e kurorës së Jezusit e ndër mrekullitë, që u kryen me ndërmjetësinë e tij, është shërimi i shumë njerëzve dhe lindja e trashëgimtarit të fronit japonez.
U shua më 17 maj 1954, pas shumë torturash të tmerrshme, në një burg komunist të Rumanisë. Kur vdiq, në moshën 79 vjeçare, peshonte vetëm 40 kilogram. Para se të mbyllte sytë, në mungesë të meshtarit, u rrëfye me zë të lartë para të gjithë shokëve të qelisë.
Zhak Mariten pati thënë për të: “Princ në botë e për një thirrje më të lartë, Meshtar i Krishtit”. Tani martir, në nderimet e elterit!
Urojmë t’i hapë rrugën lartimit në nderimet e elterit, 40 martirëve, që populli shqiptar i dhuroi Kishës Katolike, kryesisht gjatë diktaturës komuniste, edhe ata, në vijim të procesit të lumnimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.