2013-08-30 13:45:36

Patriku Sako: të krishterët të mos ikin nga Iraku!


“Ndihmojini fshatrat e krishtera në veri të Irakut!”. Është thirrja që bëri Mar Lui Rafael Sako, patrik i Kishës kaldeje, gjatë vizitës në dioqezën e bashkuar të Zakho e Emmadeas, më 15 deri më 23 gusht. Në zonë, sipas agjencisë AziaNjuz, ka 40 fshatra e qytete, që vuajnë pa masë për shkak të situatës dramatike të krizës, krijuar nga dhuna ndërmjet shiitëve suunitëve në Irak e në konfliktin sirian.
Shumë nga qendrat e banuara nuk kanë ujë as dritë elektrike; të gjesh spitale ose ambulanca, është gati e pamundur. Këto fshatra kanë nevojë, nënvizon Patriku, prandaj i ftojmë të gjithë bamirësit, nga të gjitha dioqezat e Kishës kaldeje, ta ndihmojnë popullsinë e krishterë, sepse prania e saj është tepër e rëndësishme.
Në këto muaj dioqeza e Mosulit, e Kirkukut, e Zakhos, e Emadeas dhe e Erbilit e jetuan nga afër dramën e konfliktit ndërmjet myslimanëve suunit e atyre shiitë në Siri, luftën ndërmjet qeverisë qëndrore e qeverive lokale për kontrollin e burimeve të naftës dhe sulmet e ekstremistëve islamikë kundër popullsisë, përfshirë edhe atë të krishterë. Gjatë këtyre viteve, me qiendra familje ikën nga vendi, duke gjetur strehim në perëndim ose në vendet e tjera të Lindjes së Mesme. Mijëra myslimanë kurdë sirianë, po ikin në drejtim të Kurdistanit irakian. Në Letrën baritore, drejtuar gjithë të krishterëve të veriut të Irakut, Patriku kalde nënvizon rëndësinë e pranisë së krishterë, duke i ftuar njerëzit të mos i lëshojë zemra, të mos tremben e të mos i braktisin trojet, vatrat, trashëgiminë fetare e atdhetare të të parëve. Të krishterët në Kurdistan, pohon, janë autoktonë, me rrënjë të thella, që nuk shkulen lehtë, sepse të ngulura në një thellësi 2000 vjeçare. Shumë prej tyre flijuan edhe jetën, së bashku me vëllezërit e tyre myslimanë, për mbrojtjen e lirisë, të dinjitetit, të bashkëjetesës. Për Patrikun Sako, të krishterët janë tharm themelor, për të ruajtur pluralizmin kulturor e fetar, që karakterizon prej shekujsh Irakun, djep i qytetërimeve të para e i dioqezave të para të krishtera.
Ju ftoj, vijon, të merrni pjesë në të gjithë sektorët e jetës: kulturorë, politikë, shoqërorë. Prelati flet me dhimbje të thellë për ikjen e popullsisë së krishterë e cila, nga 1 milion besimtarë, është katandisur në më pak se 400 mijë vetë: “Mos i shisni shtëpitë tuaja, trojet tuaja. I trashëguat brez pas brezi nga etërit. Duhet ta ruani përgjithnjë tokën tuaj e të mos shndërroheni për tërë jetën në njerëz që ravgojnë, në njerëz të huaj, ndër troje të huaja. Diaspora është shumë e hidhur. Toka e huaj vonë e kurrë bëhet jotja!Si shembull, Patriku i Bagdadit, kujton fshatin Akra. Gjatë vizitës sime në Mosul, tregon, takova 35 familje të Akrës, të transferuara në Duhok, ku blenë një fshat të tërë me emrin “Romtha”. Ndërtuan aty shtëpitë e tyre, një kishë, një sallë për takime, një shkollë e nisën të punojnë tokat. Mos kini frikë nga vështirësitë, përfundon Patriku, sepse ato e freskojnë praninë tuaj, e lartojnë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.