2013-08-30 18:27:50

Malezi: qeveria kundër Kishës për përdorimin e termit ‘Allah’ nga të krishterët. Nis procesi i apelimit


Çështja gjyqësore për përdorimin e termit ‘Allah’ në botimet e krishtera, në Malezi, do të shqyrtohet në procesin e apelimit, më 10 shtatorin e ardhshëm. Sipas agjencisë Fides, Gjykata e apelit e Putrajajës, do të gjykojë apelimin e një vendimi, marrë më 31 janar 2009, që autorizonte të krishterët të përdornin fjalën ‘Allah’ në botimet tyre në gjuhën maai. Gjatë tre vjetëve, çështja mbeti e hapur dhe vendimi, i pazbatuar. Kisha Katolike, përmes përfaqësuesit të saj, imzot Murfi Pakiam, kërkon gjykim të drejtë, duke theksuar se çështja u përket të drejtave dhe lirive fetare e se Kisha nuk dëshiron ta shndërrojë në çështje politike, aq më pak, në konflikt fetar. Po myslimanët po ushtrojnë trysni mbi gjykatësit, e çështja ka rrezik të manipulohet, për krijimin e tensioneve fetare, të frikës e konfuzionit ndërmjet besimtarëve myslimanë. Islamikët pohojnë me forcë se Kisha, duke përdorur (pa kurrfarë ngjyrimi fyes a përvetësues, fjalën ‘Allah’, që në gjuhën maai do të thotë thjesht ‘Zot’ a ‘Perëndi’), kërcënon shenjtërinë e Islamit. Prej këndej u bëjnë thirrje të gjithë myslimanëve të bashkohen në luftë “për Çështjen e Allahut”. Thua se Allahu ka nevojë për vringëllima armësh mbi tokë, që të mbrojë fronin, në qiell. Prej këndej, kryeministri Naxhib Razak këto ditë u detyrua të siguronte opinionin publik, duke nënvizuar se “Malezia nuk është bërë shtet islamik ortodoks”.









All the contents on this site are copyrighted ©.