2013-08-30 18:25:43

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 22-të gjatë vitit kishtar ‘C’


Ja përsëri në takimin javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 22-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Tema kryesore që përshkon të gjitha leximet biblike të kësaj së diele është përvujtëria, shërbimi e shpërblimi si virtyte, si vlera fisnike të njeriut. Jezusi i nxit nxënësit e tij të mos lejojnë të pushtohen e të nënshtrohen nga krenaria, nga mendjemadhësia, nga synimi për vende të para e nga lakmia e privilegjeve. Hyji lavdërohet e nderohet nga ata njerëz që janë të përvuajtur, të thjeshtë, të sinqertë, nga ata besimtarë që çdo ditë kultivojnë marrëdhënien e dashurisë ndaj Zotit e të afërmit, me përvujtëri. Pra, përvujtëria e zemrës është kusht themelor i të qenurit dishepull dhe ithtar ti Krishtit.
Në Ungjill të kësaj së diele Jezusi na mëson tri gjëra të rëndësishme: së pari përvujtërinë, si virtyt që çdo njeri duhet ta mbajë veten për çfarë vlen në realitet e jo të tregohet më i madh se sa është në të vërtetë. Së dyti shërbimin: “Kushdo e lartëson veten, do të përvujtërohet, e kush përvujtërohet do të lartësohet”, me këtë pohim Jezusi nuk donte të mësonte një përvujtëri falas, do të thotë të tregohesh sikur nuk di asgjë e nuk je i aftë për të bërë asgjë, përvujtëria e shërbimi nuk janë elemente asgjësimi e tjetërsimi, po mënyra më e denjë për të ndërtuar qytetërimin vëllazëror, me një fjalë, për të ndërtuar Mbretërinë e Hyjit në mesin e njerëzve. Këtë e ripohon edhe Libri i Siracidit kur thotë: “Sa më i madh të jesh, përule vetveten në çdo gjë, e do të jesh hir e bekim para Hyjit. Ka shumë të mëdhenj dhe të lavdishëm, por Hyji të përvuajturve e të thjeshtëve ua zbulon misteret”. Kështu pra, përvujtëria e shërbimi na bëjnë të mëdhenj para Hyjit. Edhe vet Jezusi e përuli vetveten, u bë njeri, për të na hapur udhën e shpëtimit të përjetshëm. Së treti shpërblimi: në fjalët e fundit të pjesë së Ungjillit të kësaj së diele, Jezusi na le një porosi të rëndësishme: “Kur shtron drekë ose darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, sepse mund të ndodhë se edhe ata të thërrasin ty për ta kthyer nderën e kështu ta shpërblejnë. Por, kur të bësh gosti, grish skamnorë, të gjymtë, të çalë e të verbër. Atëherë do të jesh i lum, sepse këta nuk kanë me çka ta kthejnë dhe do të shpërblehet në të ngjallur të të drejtëve.” Kështu pra, përvujtëri do të thotë shërim e bamirësi në dobi të atyre që kanë nevojë. E shpërblimi do të vijë nga Zoti në jetën e pasosur. Këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë.
Jezusi na thotë: “Do të jesh i lum”! Sepse shpërblimi si dhuratë që marrim nga Zoti nuk është kthim i dhuratës, i bamirësisë, por lumturia e tjetrit, është jeta që lulëzon e përhapet përreth tejet dhe meje.
Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Sir 3, 17-18. 20. 28-29
Autori i këtij libri të diturisë kujton gjërat që i pëlqejnë Hyjit. Hyji nuk do gjërat e mëdha, por ato të thjeshtat, nuk kërkon njerëz të fuqishëm, por të vegjël, të përvuajtur. Shihet qartë mesazhi i lumturive dhe shpirti i përvuajtur dhe i thjeshtë i Jezusit të Nazaretit.

Lexim prej Librit të Siracidit
Biri im, ditën e vështirësisë sate Zotit do t’i bjerë ndër mend për ty, e, sikurse dielli e shkrin akullin, mëkatet e tua do të shkrihen. Se ç’zë të keq i sjell vetes, ai që e braktis babën; i mallkuar prej Hyjit është ai, që e fyen t’ëmën. Sa më i madh të jesh, përule vetveten në çdo gjë, e do të gjesh hir para Hyjit. Ka shumë të mëdhenj e të lavdishëm, por Hyji të thjeshtëve ua zbulon misteret. Zemra që do të hyjë nëpër dy udhë, s’do të ketë sukses, zemërkeqi në to do të rrëzohet. Zemra e keqe do të ngarkohet me dhimbje e mëkatari do të shtojë mëkat mbi mëkat.
Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.
Psalmi 68
Ti, o Zot, je Ati i të gjithë popujve
Të drejtët le të gëzohen në praninë e Hyjit,
le të galdojnë e le të brohorisin me hare.
Këndoni Hyjit, madhërojeni Emrin e tij,
“Zot” është Emri i tij;
vallëzoni në praninë e tij!

Ati i bonjakëve, mbrojtësi i të vejave
është Hyji në banesën e vet të shenjtë.
Hyji u siguron banesën të pashtëpive,
u hap të burgosurve derën e lirisë.
Ti, o Hyj, lëshove një shi të madh,
trashëgimin tënd të lodhur e ripërtërive.
Populli yt gjeti strehim
që në mirësinë tënde, o Hyj, e përgatite për të mjerin.

Leximi dytë Heb 12, 18-19.22-24
Në Besëlidhjen e Re, në ndryshim nga Besëlidhja e parë të gjithë të krishterët janë ftuar, pa dallime klasore, të afrohen afër Asamblesë së bijve të Hyjit. Ata jetojnë në familjaritet me Hyjin. Nuk duhet të jemi as profesorë, as shpallës me gojë të së vërtetës së Hyjit, por dëshmitarë. Falë Jezu Krishtit, ndërmjetës i Besëlidhjes së Re, mund të banojmë në botën e Hyjit.
Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Vëllezër, ju nuk iu afruat malit të prekshëm, as flakëve të zjarrit, as errësirës, as territ, as stuhisë, as zërit të trompetës, as ushtimës së fjalës; ata që e dëgjuan, u lutën të mos u fliste më. Përkundrazi i jeni afruar malit Sion, qytetit të Hyjit të gjallë, Jerusalemit qiellor: numrit të pamasë të engjëjve të bashkuar në festë, bashkimit të parëlindurve, emrat e të cilëve janë të shkruar në qiell, Hyjit, Gjyqtarit të të gjithëve, shpirtrave të të drejtëve që ia arritën përsosmërisë, Jezusit, Ndërmjetësit të Besëlidhjes së re dhe Gjakut stërpikës që flet më mirë se gjaku i Abelit.
Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja, Aleluja
Shpirti i Zotit është mbi mua: Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin.
Aleluja.

Ungjilli Lk 14, 1.7-14
Jezusi u jep një mësimi përvujtërie dëgjuesve të tij, që bashkoheshin shpesh në tryeza festive për të diskutuar argumente “serioze”, ndonjëherë edhe fetare, me shumë fjalë të kota. Jezusi, duke marrë pjesë në një tryezë të tillë, flet për një virtyt të ri, i pajetuar nga të pranishmit: përvujtërinë. Ai u kërkon të ndryshojnë mentalitetin e tyre dhe të ftojnë leckamanët e mjerët për drekë.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Një të shtunë Jezusi shkoi në shtëpinë e një kryetari farisenjsh për të ngrënë bukë e të pranishmit po e vërenin dijekeqas.
Duke vënë re sesi të grishurit zgjidhnin vendet e para, u tha këtë shëmbëlltyrë: “Kur ndokush të ftojë në dasmë, mos u ul në krye të vendit, pse ndoshta është i grishur ndonjë qe duhet nderuar më tepër se ti, që, kur të vijë ai që të ka thirrur ty dhe atë, të mos të thotë: ‘Lëshoja vendin këtij!’ Atëherë të duhet, plot turp, të shkosh e të zësh vendin e fundit. Përkundrazi, kur të jesh i grishur, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka grishur, të thotë: ‘Mik, ngjitu më lart!’ Atëherë ke për të qenë i nderuar në sy të të gjithë të grishurve. Vërtet, kushdo e lartëson veten, do të përvujtërohet, e kush e përvujtëron vetveten, do të lartësohet.”
Atëherë iu drejtua edhe atij që e kishte grishur: “Kur shtron drekë ose darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, sepse mund të ndodhë se edhe ata të thërrasin ty për ta kthyer nderën e kështu ta shpërblejnë. Por, kur të bësh gosti, grish skamnorë, të gjymtë, të çalë e të verbër. Atëherë do të jesh i lum, sepse këta nuk kanë me çka ta kthejnë dhe do të shpërblehet në të ngjallur të të drejtëve.”
Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.
Më tepër këtu mund të dëgjoni Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të dielës së 22-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë........... RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.