2013-08-30 12:47:37

Falja e gjakut e pajtimi mes dy familjeve në Nënshat


Përkujtimi i martirizimit të Shën Gjon Pagëzuesit, më 29 gusht, ose ndryshe siç e quan populli në traditën e vet, festa e Sh’njonit u kremtua edhe në famullinë e Shën Mëhillit në Nënshat. Kjo festë u kremtua jo vetëm për nderim të këtij shenjti, por pati për motiv edhe faljen e gjakut dhe pajtimin mes dy familjeve anëtare të bashkësisë famullitare Nënshat.
Familja e Simon Shtjefnit fali gjakun e babës familjes së Dodë Doçit. Ishte pikërisht dëshira e këtyre dy familjeve që zgjodhën ditën e Shën Gjonit për këtë akt sublim duke qenë se mes tyre ishin edhe kumari apo shnjon siç e quan populli në gjuhën e përditshme. Të bashkuar rreth tryezës eukaristike, ipeshkvi i Sapës ka kremtuar eukaristinë shenjte duke falënderuar Zotin dhe familjet që arritën paqen dhe pajtimin mes tyre.
Gjatë fjalës së rastit imzot Lucjani theksoi rëndësinë e faljes, zhdukjen e gjakmarrjes një fenomen mjaft i pranishëm në shoqërinë shqiptare. Ndërsa iu drejtua familjes së të ndjerit Tomë Shtjefnit duke iu thënë se ato që falin janë “heronjtë e ditëve tona”, paralajmëruesit se jeta është më e fortë se vdekja; falja më e qëndrueshme se urrejtja, dashuria dhe vëllazëria rruga e vetme e shpëtimit. Ju familje e dashur tha ai “qofshi faqe bardhë”! Zoti iu mbushtë me të mira e bekime për shembullin e mirë që sot jepni, dhe shembullin tuaj e ndjekshin të gjithë ata që në zemër e mendje e mbajnë urrejtjen. Zoti e shënoftë me shkronja të arta këtë vepër të faljes dhe pajtimit në librat e amshimit përfundoi ipeshkvi.
Është zgjedhur pikërisht momenti i kushtimit të dhuratave ku dy familjet kanë ofruar në altarin e kushtimit bukën dhe verën, Korpin dhe Gjakun e Krishtit, dhe po në këtë moment në emër të Krishtit është kryer dhe akti i faljes dhe shtrirja e duarve të pajtimit mes dy familjeve, duke i dhënë fund kështu hasmërisë 15 vjeçare. Në prani të Ipeshkvit Imzot Lucjan Avgustini dhe mbarë bashkësisë famullitare të pranishëm në Meshën Shenjte, Fran Shtjefni, djali i të vrarit ka deklaruar në emër të fisit të tij se brez pas brezi pajtohet me familjen Dodë Doçi sot e përgjithmonë e jetës.
Por cili qe shkaku që solli hasmërinë mes dy fiseve Shtjefni e Doçi: Hasmëria erdhi si shkak i procesit zgjedhor të vitit 1998, ku pas një debati të çastit lindi konflikti mes dy pjesëtarëve nga dy fiset e lartpërmendura, që më pas u shoqërua me përdorim të armëve nga Domenik Doçi e për pasojë solli vdekjen e viktimës Tom Shtjefni. Dhe që nga ajo kohë dy familjet kanë qenë në hasmëri mes tyre. Një periudhë e gjatë 15 vjeçare shoqëroi jetën e këtyre dy fiseve me ndjenjën fatkeqe të hakmarrjes, por Zoti deshi që t’ia shndrisë mendjen dhe zemrën familjes Shtjefni dhe të ndërtojë urën e paqes dhe pajtimit me gjakësin, duke bërë që të marrë fund një herë e përgjithmonë ankthi i tmerrshëm i gjakmarrjes.
Nga Vau-Dejës Violeta Marashi...RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.