2013-08-30 13:46:02

Deklaratë e kardinalit Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, në “L’Osservatore Romano”.


Në këto orë tronditëse, bëhen përherë më të shpeshta lutjet për situatën në Siri, që vijon të jetë gjithnjë më e rëndë, në kontekstin e Lindjes së Mesme, me plagë të hapura në Egjipt, Irak e zona të tjera.
Thirrja e fuqishme e Papës Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, 25 gusht, e ngushëlloi shumë gjithë popullsinë siriane, siç e sigurojnë Kongregatën për Kishat Lindore Barinjtë e besimtarët, që vijojnë të luten për dhuratën e paqes.
Me bashkësitë e atdheut, bashkohen, në të njëjtën thirrje, edhe shumë banorë të lindjes, shpërndarë nëpër botë. Edhe ata luten e urojnë, që pajtimi të jetë më i fortë se zëri i armëve.
Duke i bërë jehonë mesazhit, dërguar me rastin e shugurimit ipeshkvnor të Bariut të ri të Kryeheparkisë Melkite të Bosrës e Hauranit, në Siri, kardinali pohon: “Lutemi për paqen në Lindjen e Mesme e në botë, duke i lypur Zotit Jezu Krisht e Zemrës së Papërlyer të Zojës së Bekuar ta forcojnë shpresën e të gjithë besimtarëve lindorë. Zemrat tona rrahin për Sirinë, zhytur në një turbullim të madh. Urojmë e lutemi që të marrë fund dhuna, që Zoti i gjithëpushtetshëm t’i ndriçojë ndërgjegjet e njerëzve përgjegjës për këtë situatë e të ngushëllojë çdo zemërdhimbje, me dashurinë tonë të krishterë. Kohët e fundit Patriku maronit, në praninë e patrikëve të tjerë katolikë e të autoriteteve më të larta publike, ia kushtoi Libanin Zemrës së Nënës së Zotit, duke ia besuar fatet e Lindjes së Mesme, ndërmjetësimit të Saj.
Ipeshkvijtë e tjerë të shuguruar për Sirinë, po hasin shumë vështirësi për të arritur në selitë e tyre. Barinjtë e besimtarët detyrohen të ndërrojnë vend vazhdimisht në territorin sirian, për të shpëtuar nga rreziqet e papritura, për fat të keq, shumë të përhapura e pa fytyrë.
Me hidhërim të thellë e trishtim të madh, por njëkohësisht edhe me shpresë të madhe, katolikët lindorë shtrëngohen në lutje rreth Papës, të sigurt se Zoti i paqes dhe i çdo ngushëllimi nuk do ta braktisë kurrë Tokën e shenjtëruar nga fillesat e shëlbimit. E hapim zemrën për të krishterët e të gjitha konfesioneve si dhe të gjithë ata, që besojnë në një Zot të vetëm, duke u lutur që instanca më e lartë e paqes dhe e jetës në Lindjen e Mesme të ketë epërsi mbi çdo interes tjetër dhe mbi çdo mllef. Urojmë që për bashkësinë ndërkombëtare të zënë vendin e parë, mbi çdo arsye tjetër, drejtësia, pajtimi dhe respekti solidar për të drejtat personale e shoqërore, e edhe fetare, të të gjitha popullsive lindore, pa asnjë dallim.







All the contents on this site are copyrighted ©.