2013-08-29 13:43:45

Papa pret mbretin e Jordanisë. Imzot Lahham ngre zërin kundër ndërhyrjes ushtarake në Siri


Papa Françesku priti sot, në Vatikan, mbretin Abdallah të Jordanisë, së bashku me mbretëreshën Rania. Sipas një note të Sallës vatikanase të Shtypit, sovrani hashemit u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Hirësinë e Tij, Kardinalin Tarçizio Bertone, që shoqërohej nga Shkëlqesia e Tij, imzot Dominik Mambertì, sekretar për Marrëdhëniet me Shetet.
Gjatë bisedimeve të përzemërta, shton nota, u prekën tema me interes të përbashkët, posaçërisht tema e paqes dhe e stabilitetit në Lindjen e Mesme, me vëmendje të veçantë tek rifillimi i bisedimeve ndërmjet izraelitëve e palestinezëve dhe tek çështja e Jeruzalemit. Vëmendje e posaçme iu kushtua edhe situatës tragjike drejt së cilës vijon të shkojë Siria; lidhur me këtë, u ripohua me forcë se dialogu dhe bisedimet ndërmjet të gjitha forcave të shoqërisë siriane, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, janë e vetmja mundësi për t’i dhënë fund konfliktit e dhunës, që shkaktojnë ditë për ditë humbjen e jetëve të panumërta njerëzore, posaçërisht në gjirin e popullsisë së pambrojtur e të pafaje.

U vlerësua edhe impenjimi i Mbretit Abdallah në fushën e dialogut ndërfetar si dhe nisma për të thirrur në Aman, nga fillimi i shtatorit, një Konferencë kushtuar sfidave që duhet të përballojnë të krishterët e Lindjes së Mesme, posaçërisht në këtë periudhë shndërrimesh të vrullshme shoqërore-politike. Në përfundim, u vu theksi edhe mbi kontributin, që i sjellin bashkësitë e krishtera, shoqërisë, në gjirin e së cilës jetojnë.
Me rastin e këtij takimi të rëndësishëm, në një çast kaq delikat për mbarë Lindjen e Mesme, intervistuam kryeipeshkvin Maroun Lahham, mëkëmbës patriakal, për Jordaninë, i Patriakatit latin të Jeruzalemit:

Përgjigje: - Jordania është vend, që frymëzon paqen, ndonëse jeton në atmosferën e frikës për çka po përgatitet. Shpresojmë se nuk do të ndodhë. Besoj se vizita e mbretit tek Papa ishte, para së gjithash, rast për të folur për paqen në Tokën Shenjte e në Jordani, por, mbi të gjitha, në Sirinë e rrethuar nga kërcënimet e të gjitha natyrave. Lidhur me ngjarjet e fundit, Jordania, ndonëse vend i vogël, luan rol të madh për paqen siriane. Shpresojmë se ‘këta të mëdhenjtë’ do të mendojnë, më në fund, për paqen, në vend që të mendojnë kaq shumë për luftën, e do ta gjejnë shtegun paqësor për të dalë nga gjithë ky tmerr. E shpresojmë edhe se Jordania do të luajë rol pozitiv, duke u bashkuar me qëndrimin e Selisë së Shenjtë.

Pyetje: - Pra, mund të themi se shpresat për paqen nuk mungojnë, ndërsa vijojnë të dëgjohen hamendje për mundësinë e ndërhyrjes ushtarake...

Përgjigje: - Nëna ime! Është e tmerrshme! Po, kemi vërtet frikë!

Pyetje: - Frikë, që pastaj bëhet edhe më e madhe, kur jetohet në situata kaq të ndërlikuara e tragjike...

Përgjigje: - Absolutisht, sepse dhuna lind dhunën. E askush nuk beson më se SHBA-së dhe Evropa po u shqetësokan për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në këto vise fatmjera. Nuk u beson më kush fjalëve të tyre, sepse bota shikon veprat. Të gjithë përpiqen të mbrojnë interesat e tyre politike dhe ekonomike. E me që s’u beson më askush, me që askush nuk mendon se nisen me vullnet të mirë, nuk duam që kjo dëshirë për luftë të vihet në jetë në Siri. Shpesojmë se zëri i arsyes, e për ne, i fesë, do të ketë epërsi mbi gjithçka e se për krizën siriane do të gjinden rrugëzgjidhje politike.







All the contents on this site are copyrighted ©.