2013-08-28 16:37:29

Uashingtoni i sigurt për përdorimin e armëve kimike nga regjimi i Asadit. Patriku Gregori III e dënon një sulm të mundshëm të SHBA-së


Atmosferë e nderë pritjeje, për krizën siriane. Pasi mbrëmë u mblodh, në Uashington, Këshilli për Sigurinë Kombëtare e në Londër, qeveria u thirr me urgjencë, burime të shtypit flasin për mundësinë e një sulmi ushtarak, ndoshta duke nisur që nesër. Pikërisht nesër shërbimi sekret amerikan duhet të bëjë të njohur Raportin, që do të provonte përgjegjësinë e regjimit të Asadit në përdorimin e armëve kimike më 21 gusht.
Të dëgjojmë thirrjen e Papës për paqe në Siri! Nëse vendet perëndimore duan të krijojnë një demokraci të vërtetë, duhet ta bëjnë këtë me pajtim, me dialog ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, e jo me armë. Sulmi i planifikuar nga SHBA-së është akt kriminal, që do të shkatojë viktima të reja , përveç mijërave e mijërave që humbën jetën këto dy vjet lufte. Kështu pohon, në agjencinë AziaNjuz, Gregori III Laham, Patrik greko-katolik i Antiokisë e i mbarë Lindjes, i Melkitëve të Aleksandrisë e të Jeruzalemit. Thirrja e tij vjen pak orë pasi zëra të ndryshme nisën të flasin për mundësinë e një sulmi të menjëhershëm të SHBA-së kundër Damaskut. Ky sulm mbështetet edhe nga vende të tjera: Franca, Britania e Madhe, Turqia e Lidhja Arabe.
Këto ditë prelati shpërndau në të gjitha famullitë e Sirisë, thirrjen e Papës.
Kujtojmë se të dielën e kaluar, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa pohoi se ndjek me vuajtje e shqetësim të thellë situatën në Siri, ku, pas më se dy vjet lufte civile, kanë gjetur vdekjen rreth 100 mijë vetë, nga të cilët, 7 mijë fëmijë. E këtyre shifrave të frikshme u duhen shtuar edhe 4 milionë refugjatë e të shpërngulur nga vatrat e veta, një e pesta e gjithë popullsisë siriane. Prej këndej Ati i Shenjtë ngriti zërin, që Gregori III Laham u kërkon të gjithëve ta dëgjojnë:
“Dhuna në rritje, në një luftë ndërmjet vëllezërve, e shoqëruar me shtimin e vazhdueshëm të masakrave e të krimeve rrënqethëse, që të gjithë patëm rastin t’i shikojmë në pamjet e këtyre ditëve, më shtyn edhe një herë të ngre me forcë zërin që të marrë fund vringëllima e armëve. Nuk janë përleshjet, ata që i hapin rrugën shpresës për zgjidhjen e problemeve, por aftësia për takim e dialog”.
Nga thellësia e zemrës, Papa u shprehu afërsinë, me lutje e solidaritet, të gjitha viktimave të këtij konflikti, të gjithë atyre, që vuajnë, posaçërisht fëmijëve, duke i ftuar ta mbajnë gjithnjë ndezur shpresën për paqe:
“I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare të tregohet më e ndjeshme përballë kësaj situate tragjike e të impenjohet me fund për ta ndihmuar Kombin e dashur sirian të gjejë rrugën për të dalë nga kjo luftë, që mbjell vetëm shkatërrim e vdekje”.
Në përfundim Papa i ftoi të pranishmit të kërkojnë ndërmjetësimin e Mbretëreshës së Paqes, për paqe në mbarë botën.
Të lutemi me Atin e Shenjtë e me ata që bëhen gati të largohen nga trojet e veta, duke mos e duruar më këtë atmosferë. Po ky, sipas Patrikut, do të ishte rrezik jo vetëm për Sirinë, por për mbarë Evropën. Prania jonë, shton, është kusht themelor për të pasur një islam të moderuar, që ekziston falë të krishterëve. Nëse ne ikim, në Siri nuk do të ketë kurrfarë demokracie, gjë që e mendojnë edhe myslimanët. Çdo ditë, shpjegon, në Siri hyjnë ekstermistë islamikë të ardhur nga mbarë bota me një qëllim të vetëm: të vrasin! E asnjë vend nuk ka luajtur as gishtin për t’i ndaluar. Madje SHBA-së kanë vendosur të dërgojnë edhe më shumë armë! E sulmi i tyre do të shkaktojë jo më pak të vdekur, sesa armët kimike. Do të jetë një Irak i ri!Patriku i drejton botës, që mendon për sulme, pyetjet e dëshpëruara: “Kush janë ata, që e katandisën Sirinë në këtë gjendje të mjeruar? Kush e çoi në këtë udhë pa kthim? Kush e krijoi këtë ferr, në të cilin po jeton popullsia?







All the contents on this site are copyrighted ©.