2013-08-28 11:52:23

P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: U kryqëzua e vdiq


Transmetimi i Zbulesës Hyjnore realizohet në dy mënyra: përmes Traditës e me Shkrimin e Shenjtë. Këto dy mënyra, siç na mëson Katekizmi, lidhen e komunikojnë ngushtësisht njëra me tjetrën.
Kisha e shikon Biblën si normën më të lartë të fesë. E jo vetëm që i konsiderojmë Shkrimet e Shenjta si tekst thellësisht fetar, por besojmë edhe se janë frymëzuar nga vetë Hyji. Bibla, si e tillë, nuk ka asnjë gabim përsa i përket shëlbimit tonë. Kjo do të thotë se në tekstet biblike mund të ketë, për shembull, pasaktësi të karakterit historik ose gjeografik, pasojë e kufizimeve të autorit njerëzor, por e vërteta, që Zoti deshi të na e zbulojë për shëlbimin tonë, nuk ka as hijen e gabimit.

Në Bibël gjejmë Fjalën e Vërtetë të Hyjit, thënë në gjuhën e njeriut. Prandaj, siç e lexojmë në Katekizëm, feja e krishterë nuk është ‘fe e Librit’ (KKK 108). Besëlidhja e Re nuk ra nga qielli, por është fryt i predikimit të bashkësive të para kristiane. Prandaj Shkrimet e Shenjta duhen lexuar e duhen shpjeguar në Traditën e gjallë të mbarë Kishës. Ky parim nuk na pengon për leximin individual të Biblës. Përkundrazi, ftohemi ta bëjmë këtë sistematikisht. Por duke pasur parasysh se kuptimi ynë personal duhet të ballafaqohet me mësimin e Kishës. Duke lexuar disa faqe të Biblës, duhet të kujtojmë se qendra e saj është Jezusi. Vdekja dhe ngjallja e Tij janë çelësi për interpretimin e gjithë Biblës.
T’i lexojmë, pra, Shkrimet e Shenjta, individualisht e me të gjithë Kishën, duke zbuluar pafundësinë e kuptimeve, që përmbajnë. Për të na nxitur ta lexojmë Biblën, Katekizmi na kujton fjalët e famshme të Shën Jeronimit: “Të mos e njohësh Shkrimin e Shenjtë, do të thotë të mos njohësh vetë Krishtin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.