2013-08-27 15:33:24

Thirrja e Papës e prek thellësisht Sirinë. Ipeshkvi i Halebit: ndërhyrja ushtarake mund të ketë si pasojë rreziqe tepër të rënda


Preku shumë zemra në Siri, thirrja e Papës Françesku për paqe të diel, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot. Ati i Shenjtë shprehu vuajtjen dhe shqetësimin e thellë, duke folur për një luftë ndërmjet vëllezërve, shoqëruar me shtimin e vazhdueshëm të masakrave e të krimeve rrënqethëse. I bëri, prandaj, thirrje bashkësisë ndërkombëtare të tregohet më e ndjeshme përballë kësaj situate tragjike e të impenjohet me fund për ta ndihmuar Kombin e dashur sirian të gjejë rrugën për të dalë nga kjo luftë, që mbjell vetëm shkatërrim e vdekje.
Për emocionin e fuqishëm, që ngjalli në Siri thirrja e Papës Françesku dhe për rolin e mundshëm të bashkësisë ndërkombëtare, folëm me imzot Antoin Audo, ipeshkëv i Halebit të kaldejve e kryetar i Karitasit sirian:

Përgjigje: - Pata mundësinë ta dëgjoja drejtpërdrejt lutjen e Engjëllit të Tënzot të Atit të Shenjtë. Isha vërtet tejet i kënaqur duke dëgjuar se Ati i Shenjtë është pranë nesh, foli për Sirinë, për këtë ‘komb të dashur’, shprehu dhimbjen e tij për ne e impenjimin për ta ndihmuar Sirinë. I kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të bëjë ç’është e mundur për paqen, për dialogun ndërmjet palëve të ndryshme në konflikt. Ishte vërtet diçka tepër personale, shumë e qartë, shumë e drejtpërdrejt… Kjo na ngjalli shpresat të gjithë neve, që tani jemi, posaçërisht në Haleb, në një situatë vërtet të vështirë. Mesazhi i Atit të Shenjtë është shumë, shumë pozitiv e u vlerësua fort nga pjesa më e madhe e popullsisë.

Pyetje: - Imzot Audo, ç’mund të pritet akoma nga bashkësia ndërkombëtare? A është ndokush, që hamendëson një ndërhyrje ushtarake e a mund të jetë kjo rrugëzgjidhja e dëshiruar?

Përgjigje: - Nëse do të kishte ndërhyrje ushtarake, kjo, sipas meje, do të thoshte shpërthim i një lufte botërore. Lind përsëri ky rrezik... E kjo nuk është aspak e lehtë! Shpresojmë se ndërhyrja e Papës për të favorizuar dialogun e vërtetë ndërmjet palëve të ndryshme në konflikt, për të gjetur një rrugëzgjidhje, do të jetë hap i parë për të ulur armët, që njerëzit të jenë të lirë të lëvizin, të shtegtojnë, të komunikojnë, të punojnë….. I gjithë vendi tani është në luftë! Këtë presim: një forcë ndërkombëtare, që të ndihmojë për të dialoguar, e jo për të ndezur luftë.

Pyetje: - Imzot Audo, ç’dini për zonat e tjera të vendit e si është situata në Haleb, në krahasim me zonat e tjera?

Përgjigje: - Si situatë, kjo e Halebit, sot për sot, është më e keqja. Të gjithë e thonë këtë, kur krahasojnë situatën me zonat e tjera të vendit. Në Damask, për shembull, mund të udhëtohet, aeroporti funksionon, mund të shkohet drejt Libanit, ndërsa këtu nuk mund të lëvizet fare! Përgjithësisht zona bregdetare jeton qetësisht, prandaj shumë njerëz kanë ikur në këtë zonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.