2013-08-27 15:32:54

Nesër, Mesha e Papës me Agostinianët. Atë Prevost: mirënjohës për afërsinë e Atit të Shenjtë


Nesër Papa do të kryesojë, në Romë, Meshën, me të cilën hapen punimet e Kapitullit të Përgjithshëm të Urdhërit të Shën Agostinit. Ditën kur Kisha përkujton ipeshkvin e Iponës, rregulltarët agostinianë do ta presin Papën në orën 18.00, në Bazilikën e Shën Agostinit. Ishte Inoçenci IV, në shekullin XIII, që i nxiti bashkësitë e ndryshme vetmitare të bashkoheshin në një urdhër të vetëm me rregullin dhe stilin e jetës së Shën Agostinit, I 96-ti Epror i përgjithshëm i Urdhërit të Shën Agostinit, atë Robert Prevost, në krye të kësaj detyre prej 12 vjetësh e në prag të përfundimit të mandatit të tij të dytë, bën, në mikrofonin e Radios sonë, një bilanç personal e edhe një reflektim kushtuar muajve të parë të papnisë së Françeskut:

Përgjigje: - Ishin 12 vjet pozitivë përsa i përket jetës së Urdhërit, falë disa veprimtarive konkrete e hapjes së misioneve të reja. Elementi i dialogut dhe i bashkëpunimit ndërmjet qarqeve është rritur shumë.

Pyetje: - Si e jeton Urdhëri Agostinian fillimin e papnisë së Papës Françesku?

Përgjigje: - E shikojmë Papën e ri si dhuratë të madhe për Kishën. E jetojmë, ashtu si e jetuam edhe papninë e Papës së nderit, Benedikti, që i dha Kishës mësimin e Shën Agostinit në një mënyrë shumë të shkëlqyer e të rëndësishme. Papa i ri merr disa elemente të papnisë së Benediktit, por me një stil të ndryshëm, duke iu afruar Popullit të Zotit, gjithnjë me mesazhin e Ungjillit. Jeton, pra, me humanitetin e tij, me afërsinë e tij, me këtë dashuri të madhe, këtë mëshirë, për të cilën flet shumë herë, duke bërë që Ungjilli të jetë mesazh i gjallë për njerëzit, për Popullin. Për ne, është dhuratë, por edhe sfidë e madhe, ky papë e i tërë mesazhi i tij.

Pyetje: - Nesër, përkujtimi i Shën Agostinit, hapet Kapitulli i Përgjithëm. Si po e përballoni këtë çast?


Përgjigje: - Zgjodhëm datën e solemnitetit të Shën Agostinit për ta hapur Kapitullin, pikërisht për shkak të rëndësië që ka Shën Agostini për jetën e Urdhërit e për jetën e mbarë Kishës. Shenjti i Iponës është figurë, që edhe sot e kësaj dite ka shumë për t’u thënë të krishterëve e popullit, të gjithëve, pra. E pikërisht ky mesazh duhet t’i prijë e ta shoqërojë reflektimin edhe punën e Kapitullit.

Pyetje: - Kapitull i Përgjithshëm jo i zakonshëm, që po shqërohet edhe me praninë e lutjen e Papës….

Përgjigje: - Sigurisht. Kemi pasur disa shenja të afërsisë ndaj nesh. Ndonjë javë më parë morëm nga kardinali Bertone, nga Sekretaria e Shtetit, një mesazh, përmes të cilit na komunikohej dëshira e Papës për të na shoqëruar në Kapitullin e Përgjithshëm, duke njohur, kështu, rëndësinë që ka Kapitulli për jetën e Urdhërit, në gji të Kishës. Kapitulli, në këtë kuptim, është ngjarje, që i përket mbarë Kishës, jo vetëm Urdhërit. E ne jemi mirënjohës, jemi tejet të kënaqur, kur mendojmë se e kemi edhe këtë shoqërim, këtë afërsi të Papës ndaj nesh.

Pyetje: - Nesër, pra, është festa liturgjike e Shën Agostinit, ndërsa sot kujtohet Shën Monika, nëna e shën Agostinit. A i kërkuat edhe nënës ndërmjetësim për suksesin e këtyre ditëve?
Përgjigje: - Shën Monika mund të themi se është edhe nëna jonë: figurë e madhe, që me lutjet e saj arriti të realizojë kthimin e Shën Agostinit, gjithnjë përmes hirit hyjnor. Mund të themi se edhe ne, si Urdhër, duam të jemi pjesë e gjallë e Kishës, e prej këndej Monika, me lutjen e saj, me dashurinë e saj, me ndërmjetësimin e saj, e shoqëron Urdhërin në udhën e tij të gjatë.







All the contents on this site are copyrighted ©.