2013-08-27 15:34:13

Lajme nga Kisha në Botë


Lurdë: Filloi shtegtimi i dioqezit të Romës drejt Lurdës, kryesuar nga kardinali mëkëmbës, Agostino Valini. Shtegtarët do të nisen me anije e tren, për të arritur në qytetin e mrekullisë së Zojës së Bekuar. Nisma, që do të vijojë deri më 31 gusht, është bërë tashmë traditë. Filloi që më 1957, kur u organizua për herë të parë me tren. “Lurda, portë e fesë” është tema e shtegtimit, pesë ditë, me pesë etapa reflektimi: Shenja e Kryqit, shkëmbi i shpellës, uji i burimit, drita e shtegtarëve dhe jeta e re. Gjatë shtegtimit do të kremtohet edhe një Udhë Kryqi me qirinj ndezur, procesioni eukaristik me bekimin e të sëmurëve dhe vizita në viset ku jetoi Bernardetë Subiru, së cilës Zoja e Bekuar iu duk 18 herë. Shtegtimi do të arrijë kulmin me Meshën ndërkombëtare, kremtuar në Shpellën e Lurdës, tek këmbët e Zojës.

Në Asizi të Italisë, filloi Java e 11-të kombëtare e formimit dhe përshpirtërisë misionare, organizuar nga Konferenca ipeshkvnore italiane, me temë: “Në udhët e botës, me Ungjillin në dorë, në kërkim të njerëzve”.

Në Siri, pranë manastirit Deir Mar Musa, natën e festës së Shën Moisiut, që bie më 28 gusht, u kremtua sot një lutje, shoqëruar me agjërim, për paqen në Siri si dhe për lirimin e atë Dal’ Olios, rrëmbyer rreth një muaj më parë në zonën e Raka.

Benin: Në Kalavi, vijon Kongresi panafrikan i Përtëritjes karizmatike katolike, kushtuar temës “Pajtim, drejtësi e paqe, nëpër pushtetin e Shpirtit Shenjt”. Sot u reflektua rreth temës: “Paqe e bashkëjetesë, në dashuri.”







All the contents on this site are copyrighted ©.